Lajme
“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën…” | Presidentja Osmani me gjuhë dyshuese nëse statuti i Zajednicës do të dërgohet në Kushtetuese
Demokracia
09:39 | 22 Nëntor 2023

Share:

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet, unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti”.

Kjo është deklarata e presidentes Vjosa Osmani, e dhënë më 21 nëntor 2023, e cila tingëllon si një paralajmërim se statuti i Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të miratohet nga Qeveria Kurti, mund të mos përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjuha e saj dyshuese “në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese…” është e mjaftueshme për të ngritur alarmin se autonomia politike për serbët në Kosovë, e pranuar nga kryeministri Kurti përmes këtij statuti dhe me Nenin 7 [Vetëmenaxhimi] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] që qeverisin në nivelin lokal në 10 komuna, mund të mos i nënshtrohet testit në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin me të cilin do të themelohet ky Asociacion, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Kjo përgjigje e mbushur me dyshim, është pjesë e një deklarate më të gjerë të presidentes Osmani, e cila sqaron se komentet të cilat ajo i ka përgatitur për dokumentin e dorëzuar nga 5 emisarët dhe të njëjtët ua ka përcjellur edhe “akterëve relevantë të cilët kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e draftit”.

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet, unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur i kanë të gjithë akterët relevantë, të cilët kanë qenë të involvuar në përgatitjen këtij drafti, përfshirë BE dhe SHBA. Ka çështje që patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë, me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese, mirëpo në qoftë se jo, jam e bindur që Gjykata do t’i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vetë gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, tha Osmani. /Demokracia.com/

Osmani për draft-statutin: Ka çështje që krijojnë dykuptimësi, duhet të sqarohen patjetër

Të ngjashme