Lajme
Regjistrimi i popullsisë në Luginë drejt fundit, Osmanit i del “gjumi” pak ditë para përfundimit
Demokracia
16:11 | 24 Tetor 2022

Share:

Që nga 1 tetori ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës.

Pas dy dekadash, nga tetori i këtij viti ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi.

Ky regjistrim po shihet si shans për shqiptarët e tri komunave, Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, që të dëshmojnë saktë sa shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës, pasi që shteti serb shumë prej tyre i ka hequr nga lista, duke ua pasivizuar adresat, shkruan Demokracia.com.

LEXO EDHE: 

Mustafi thirrje shqiptarëve: Regjistrohuni edhe nëse ua kanë pasivizuar adresat, t’i dëshmojmë Serbisë se këtu kanë qenë dhe do të jenë shqiptarët

Lidhur me këtë proces janë ankuar përfaqësuesit shqiptarë, të cilët kanë hasur në probleme të ndryshme që janë shfaqur në Komunën e Medvegjës, ku regjistruesit kanë qenë vetëm serbë dhe jo edhe shqiptarë, ashtu siç edhe do të duhej të ishte sipas vendimeve që janë marrë.

Mirëpo, një javë para se të përfundojë procesi i regjistrimit në Serbi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim përfaqësuesit shqiptarë të këtyre tri komunave për të diskutuar me ta rreth këtij procesi.

Pak ditë para përfundimit të procesit, Osmani ka thënë se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional

“Presidentja Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative. Presidentja nënvizoi se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve. Se këndejmi, Presidentja ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive tona diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera. Për këtë frymë, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.”, ka njoftuar Presidenca.

Tutje, Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.

“Në këtë kontekst, ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët.”, thuhet tutje në njoftim.

Deri më sot, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka bërë as thirrje publike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi, pavarësisht se ka shumë shqiptarë të cilët jetojnë edhe në Kosovë.

Osmani deri më sot është kujdesur rreth agjendës së saj e më shumë për edicionin e parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Sipas të dhënave të fundit, deri më tani llogaritet që mbi 100 mijë shqiptarë janë regjistruar në Serbi.

LEXO EDHE: 

Nënkryetari i Preshevës: Mbi 100 mijë shqiptarë janë regjistruar në Luginë, proces historik

Procesi i regjistrimit të popullsisë në këtë vend ka nisur më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.

Shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011, për shkak të obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.

Regjistrimi, i cili realizohet nga Enti i Statistikave Republikane i Serbisë, mbledh të dhëna për popullsinë, moshën, gjininë, strukturën arsimore dhe martesore, aktivitetin ekonomik, strukturën e amvisërive dhe familjeve, si dhe fondin e banimit.

Mbledhjen e të dhënave nga qytetarët e bëjnë drejtpërdrejtë regjistruesit, të cilëve u kërkohet të mbajnë dokument identifikimi dhe ta tregojnë atë përpara se të hyjnë në një familje.

Rezultatet preliminare të regjistrimit do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi ka qenë i paraparë të bëhet në vitin 2021, por është shtyrë për këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Shqiptarët e Luginës mobilizohen për regjistrim

Të ngjashme