Lajme
Mustafi thirrje shqiptarëve: Regjistrohuni edhe nëse ua kanë pasivizuar adresat, t’i dëshmojmë Serbisë se këtu kanë qenë dhe do të jenë shqiptarët
Demokracia
21:07 | 11 Tetor 2022

Share:

Që nga 1 tetori në Serbi ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, proces ky që po cilësohet shumë i rëndësishëm edhe për shqiptarët që jetojnë atje.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht të tri komunave, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, do ta kenë mundësinë që të dëshmojnë se janë banorë të këtyre komunave falë procesit të Regjistrimit të Popullsisë, i cili ka filluar më 1 tetor të këtij viti.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, ka thënë për Demokracia.com se procesi i regjistrimit të popullsisë, sidomos në Preshevë dhe Bujanoc, ka marrë hov.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë për shkak të kushteve optimale që kishin marrë vendim të gjitha partitë politike për pjesëmarrje, tashmë është duke shkuar në dinamikën e vet dhe ritmet e veta të procesit të regjistrimit të popullsisë. Përderisa në Preshevë dhe Bujanoc veçse ka marrë hov dhe qytetarët janë duke iu përgjigjur regjistrimit të popullsisë. Në Medvegjë kemi disa mangësi, por shpresoj që t’i tejkalojmë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Mustafi.

Prapë se prapë, sipas tij, edhe në këtë proces janë duke u përballur me disa probleme.

“Jo, ka probleme sa i përket vendosjes së regjistruesve shqiptarë në vendbanime shqiptare. Jemi duke punuar intensivisht. Ka edhe një urdhër të Entit të Statistikave republikane nga Beogradi që regjistruesve shqiptarë t’iu akordohet zona në të cilën janë duke banuar shqiptarët, përderisa komisioni lokal zgjedhor nuk ka përfillur kërkesat tona të vazhdueshme e po refuzon që t’i vendos, ashtu siç është e paraparë me rregullat në fuqi”, u shpreh Mustafi për Demokracia.com.

Mustafi ka theksuar se i tërë procesi është i financuar nga Bashkimi Evropian.

“I tërë procesi i regjistrimit është duke u financuar nga Bashkimi Evropian e Eurostat dhe ajo që për ne është e rëndësishme është se deri më tash hap pas hapi kemi raportuar jo vetëm misionin e OSBE-së, por edhe misionin e Bashkimit Evropian dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë relevantë”, sqaroi ai.

Mustafi për Demokracia.com ka shpjeguar se procesi i regjistrimit të popullsisë është shumë i thjeshtë. Madje, ai mund të bëhet edhe vetëm përmes dhënies së numrit personal dhe emrit e mbiemrit dhe sipas Mustafit, mjafton që një anëtar i familjes t’ua japë këto të dhëna regjistruesve.

“Në procesin e regjistrimit, ashtu siç është e përcaktuar edhe me ligj, regjistruesit do të duhej të vizitonin shtëpi për shtëpi dhe njëri prej respodentëve do të duhej t’i ofronte të dhënat e sakta të asaj njësie banimi. Ajo që është e rëndësishme që në këtë proces regjistrimi nuk kërkohet dokumente dhe nuk bëhet regjistrimi i pronave, por bëhet vetëm regjistrimi i popullsisë dhe i njësive të banimit. Krahas kësaj, vetëm një anëtar i familjes që të informoj dhe t’ia japë të dhënat regjistruesit për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, sqaroi Mustafi.

Sipas tij, problemi kryesor për regjistrimin e popullsisë është në Medvegjë, pasi që shteti i Serbisë atje i ka pasivizuar me të madhe adresat e shqiptarëve, por pavarësisht kësaj, Mustafi u ka bërë thirrje banorëve shqiptarë të Medvegjës që të bëhen pjesë e regjistrimit të popullsisë.

“Sigurisht që po. Ne duhet të dëshmojmë se këtu janë shqiptarët, se këtu do të jenë shqiptarët. Andaj krahas kësaj, i ftoj qoftë edhe ata të pasivizuar, sepse çdo qytetar i Serbisë duhet të ketë një numër personal dhe vetëm numri personal mjafton me emrin dhe mbiemrin ashtu që të regjistrojë familjarët”, theksoi Mustafi për Demokracia.com.

Ai edhe një herë u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kudo që jetojnë, që t’i përgjigjen procesit të regjistrimit të popullsisë, siç ka thënë ai, për t’i dëshmuar Serbisë se këtu kanë qenë dhe do të jenë përherë shqiptarët.

“Edhe një herë iu bëj ftesë të gjithë shqiptarëve, pa dallim se ku jetojnë, qoftë në diasporë apo në Kosovë, që t’i ofrojnë emrin, mbiemrin dhe numrin personal anëtarëve tek të cilët jetojnë në vendlindje apo në rast se nuk kanë kujt, t’ia kushtojnë një ditë në mënyrë që të bëjnë regjistrimin e drejtpërdrejtë. Ne jemi shumë të interesuar që të kemi numrin e saktë dhe të vërtetë të shqiptarëve dhe t’i përgjigjemi me regjistrim diskriminimit dhe pasivizimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, u shpreh Mustafi për Demokracia.com.

Rezultatet preliminare të regjistrimit do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi ka qenë i paraparë të bëhet në vitin 2021, por është shtyrë për këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në regjistrimin e fundit në Serbi, më 2011, janë regjistruar rreth 7.2 milionë banorë. Megjithatë, sipas të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2019 numri ka rënë nën shtatë milionë [6.982.604] – për herë të parë në 53 vjet. /Demokracia.com/

Të ngjashme