Lajme
Në opozitë thoshte “jemi të vjedhur e jo të varfër”, Sveçla si pushtetar ndërron fjalët për të refuzuar kërkesat e policisë
Demokracia
16:22 | 15 Janar 2024

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se të gjitha kërkesat e Policisë së Kosovës nuk mund t’i realizojnë, pasi barra buxhetore nuk ua lejon. Thotë se “Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë”.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Sveçla ka deklaruar se Policia e Kosovës ka qenë përfituese e rritjes së pagave, duke përfshirë edhe të ardhurat shtesë dhe rrezikshmërinë.

“Për çdo angazhim të tyre ata marrin kompensimin e duhur. Në kuadër të Ligjit për Paga janë paraparë klasifikimet e duhura për secilin profesion. Aty është gjet edhe Policia e Kosovës, e cila ka pas rritje të pagës bazë, dhe po ashtu është marrë vendimi për sigurimin e të ardhurave shtesë të cilat kanë të bëjnë me rrezikshmërinë. Çështja se sa kush merr, është çështje e këtij vendimi për përftimet e shtesave për kushte specifike të punës. Mund të ketë pakënaqësi, dhe të gjitha këto ne jemi duke i adresuar me sindikatën e PK-së, me të cilën kemi takime të rregullta dhe mundohemi që të gjitha pretendimet t’i sqarojmë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha kërkesat është e mundshme t’i përmbushim”, u shpreh Sveçla, raporton EO.

“Mos të harrojmë se Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që është i jashtëzakonshëm. Gjithë MPJ, posaçërisht e gjithë Policia ka qenë maksimalisht e mobilizuar që në plotëni të realizojë detyrat dhe obligimet që na janë dhënë para nesh”, u shpreh Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, ka folur edhe njëherë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Ai ka kërkuar që Prokuroria të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo së paku të ketë një raport përfundimtar.

“Është fakt se Policia e Kosovës ka ndërmarrë procesin hetimor më të madhin në historinë e saj me rastin e Banjskës, edhe për ka rëndësia, por edhe nga numri i dëshmive me të cilat është dashtë që të merret apo të procedojë. Një pjesë e këtyre dëshmive tashmë janë publike, një pjesë është ën duart e prokurorisë, unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raporti përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmentet tjera të punës institucioneve e sidomos me diplomacinë, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtar, zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë, por jo vetëm me atë çfarë ka ndodhë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar si qëllimi i këtej grupi terrorist dhe gjithë elementeve tjera që kanë mbështet, qoftë financiarisht, me trajnime, pajisje, këtë grup terrorist që dihet tashmë, ka pas për qëllim aneksimin e një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Sveçla, teksa foli edhe për pajisjen e Policisë me armë të gjata. Ai u shpreh se shumica prej zyrtarëve policor që kanë vdekur në krye të detyrës, kanë qenë policë të patrullave.

“Gjatë gjithë këtyre viteve prej ekzistencës së PK-së, fatkeqësisht për shkak të detyrës, 24 policë të PK-së kanë dhënë jetën gjatë kryerjes së detyrës. Shumica prej tyre kanë qenë policë të patrullave, ky është një segment, apo një grup brenda PK-së i cili ka qenë më i prekuri nga grupet kriminale, edhe më i pambrojturi. Jam i bindur, vendim i drejtë që gjitha patrullat e PK-së tash e tutje të jenë të pajisur em armë të gjata. Kjo nuk do të thotë që publiku t’i sheh në vazhdimësi se patrullat e PK-së me armë të gjata, por ata do t’i kenë me vetë në dispozicion në rast nevoje, për t’i përdorur gjithmonë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi”, deklaroi ai.

Të ngjashme