Lajme
Deputeti i panjohur i Vetëvendosjes me rreth 100 mijë euro të investuara në kriptovaluta, ato i kishte fshehur në deklarimin e vitit paraprak
Demokracia
17:24 | 29 Prill 2024

Share:

Vendenis Lahun mund ta njohin shumë persona nga vendi prej kah vjen, Podujeva. Por, kur ai ulet në ulësen e deputetit të Kuvendin të Kosovës, është shumë zor që të zbulohet emri i tij nga shikuesit që e përcjellin Kuvendin. Sepse, ai nuk bënë ‘gëk’ as ‘mëk’ kurrë në foltore. Kryesisht është spektator. Por, pasuria që i është zbuluar së fundmi tregon se nuk kemi të bëjmë me një person të rëndomtë, shkruan Demokracia.com.

Lahu është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka shkruar në deklarimin e pasurisë, i cili i është publikuar para pak javëve që posedon disa lloje të kriptovalutave që i ka përfituar në vitin 2022. Të njëjtat nuk i ka deklaruar edhe në deklarimin e vitit paraprak.

Kështu, ai ka kryer vepër penale ‘mosdeklarim i pasurisë’, apo ‘deklarim i rrejshëm’.

Por, deputeti Lahu në deklarimin e bërë më datë 31.03.2024, ka shkruar se ka investuar në monedha digjitale (kriptovaluta), në 13 lloje. Vlera e investimeve është rreth 93 mijë euro.


Të gjitha investimet është shkuar se janë bërë në shkurt të vitit 2022. Të njëjtat nuk figurojnë edhe në deklarimin e vitit 2023, të cilat është dashur të evidentohen. Për shembull, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë kanë deklaruar se posedojnë kriptovaluta që disa vite dhe të njëjtat i deklarojnë çdo vit. Herë si rënie në investime e herë si ngritje.

Deputeti “misterioz” i VV-së është edhe mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai është mjaft i pasur edhe sa i përket parave të ruajtura në institucionet financiare.

Lahu ka deklaruar se ka fiks 98 mijë euro në bankë, nga to vetëm 3,025.20 euro të fëmijëve dhe tjerat të tij.


Në vitin 2023, në bankë, në emrin e tij kishte deklaruar vetëm 5,108.00 euro, ndërsa siç shihet, një vit më vonë ka deklaruar rreth 95 mijë euro në emrin e tij. Derisa në vitin e kaluar, në emër të prindit kishte deklaruar rreth 85 mijë euro.

Këtë vit, deklarimi i parave në emër të prindit është zero dhe krejt paratë janë në emrin e tij. Kurse të hyrat vjetore për 2023 nga Ordinanca Specialistike Internistike, që e ka në emër të prindit janë deklaruar në vlerë prej 17,341.00 euro. Të hyrat e tij prej deputeti kanë qenë 20,880.00 euro dhe 1,289.31 euro nga QKUK. /Demokracia.com/

Të ngjashme