Lajme
Në një tavolinë me Vuçiqin, Kurti s’është në gjendje t’ia përmend me emër “Banjskën” dhe as t’ia kërkojë direkt njohjen reciproke
Demokracia
12:00 | 22 Janar 2024

Share:

Samiti Ballkani Perëndimor – BE që po mbahet në Shkup ishte një mundësi e mirë për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që në mënyrë të drejtpërdrejtë t’ia thotë dhe kërkojë disa çështje Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Por, ndryshe nga ajo që thotë në media dhe larg tryezave të tilla si kjo në Shkup, kryeministri Kurti nuk ka qenë në gjendje që të përmend me emër të veçantë as “Banjskën”, e cila u bë vend i njohur më 24 shtator 2023, kur një grup serbësh të armatosur ushtarakisht të udhëhequr nga Milan Radojçiq sulmuan Policinë e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Për këtë sulm terrorist, Kurti ka fajësuar drejtpërdrejtë shtetin serb, por të njëjtën gjë nuk e bëri në tryezën ku ndodheshin edhe liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të lartë të SHBA-së.

Kurti vetëm ka thënë se integrimi ekonomik i rajonit “s’mund të ndodh nëse liria për mallrat shfrytëzohet për lëvizje të armatimit apo për të financuar sulme terroriste”.

Madje, në fjalën e tij, kryeministri Kurti nuk ka kërkuar nga presidenti serb që të marrë vendim për njohjen reciproke. Ai vetëm ka folur në aspektin parimor sesi “normalizimi i raporteve bazuar në njohjen reciproke është çelës për të zhbllokuar potencialin e rajonit dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve”.

“Për rajonin, që të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen. Integrimi i thellë dhe rritja e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve kërkon besim reciprok dhe raporte normale. Kjo s’mund të ndodh nëse liria për mallrat shfrytëzohet për lëvizje të armatimit apo për të financuar sulme terroriste. Normalizimi i raporteve bazuar në njohje reciproke mendoj se është çelësi për të zhbllokuar potencialin e rajonit dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve tonë. Anëtarësimi në BE është zgjedhje”, tha Kurti në fjalën e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme