Lajme
Ndodh edhe kjo | Kreu i KQZ-së nuk e di nëse do të organizojnë peticion për largimin e kryetarëve në veri
Demokracia
21:12 | 15 Gusht 2023

Share:

Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje në Bratisllavë me BE-në, se do të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan e Zubin Potok.

Edhe më tutje mbetet problematike mënyra e largimit apo dorëheqjes së kryetarëve shqiptarë, që u zgjodhën në prill të këtij viti në katër komunat veriore.

Si opsion nga drejtues të institucioneve të Kosovës ishte paraparë organizmi i një peticioni për largimin e këtyre kryetarëve. Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale thuhet se iniciativa duhet të merret nga 20 për qind e qytetarëve, kurse nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet. Pra, pika 72.3 i këtij ligji nënkupton se për largimin e kryetarit duhet të votojnë mbi 50% e qytetarëve të regjistruar si votues në atë komunë.

Por, njeriu kryesor për organizimin e zgjedhjeve, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, nuk ka as idenë më të vogël sesi do të bëhet ky organizim.

Radoniqi nuk ka pasur përgjigje nëse ky institucion do të merret me organizimin e procedurave për largimin e kryetarëve të veriut.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ai është pyetur nga gazetarët nëse është gati ky institucion për organizmin e zgjedhjeve në veri.

Ai nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se do të shohin ditëve në vijim se cilat do të jenë procedurat që duhet ndjekur.

Kur u pyet për grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për këtë procedurë, ai tha se kjo ka qenë kërkesë e ministrisë dhe se janë duke u mbajtur takimet, duke mos sqaruar më shumë.

“Janë duke u mbajtur takime… deri sa të marrim një përfundim nga Komisioni nuk kemi çka me deklaru. Ajo është kërkesë e ministrisë, ata e kanë kërkuar një anëtar, e kemi dërguar. Ta shohim ditëve në vijim se çka do të veprojmë, për momentin nuk kemi përgjigje”, ka thënë Radoniqi. /Demokracia.com/

Të ngjashme