Lajme
“Ndihma s’vjen falas, Kurti ka cenuar raportet me ShBA-të, dinari temë për dialog” – çka tha Hovenier në bisedën me gazetarë
Demokracia
16:16 | 03 Mars 2024

Share:

Ndihma nuk vjen falas, dinari është çështje për dialog, Qeveria ta miratojë draft-statutin e Asociacionit, veprimet e qeverisë kanë ndikuar të cenohen raportet, s’ka nevojë për konferencë ndërkombëtare, janë mesazhet e Jeffrey Hovenier, për qytetarët e Kosovës.

Këto komente, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i bëri në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë, më 29 shkurt, ku foli gjerë e gjatë në lidhje me atë se si shteti që ai përfaqëson qëndron me çështjet e ndjeshme në të cilat është duke kaluar aktualisht vendi.

Hovenier, kohëve të fundit, ka shpeshtuar daljet dhe deklaratat e tij publike, dhe krejt kjo pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, i cili, siç kanë thënë ShBA-të, u mor pa u koordinuar me ta, dhe se i njëjti ka cenuar raportet mes dy shteteve respektive.

Çka saktësisht tha Hovenier?

“Është dëmtuar kualiteti i raporteve”, “dinari është çështje për dialog”

Fillimisht zëri amerikan në Kosovë ripërsëriti qëndrimin që tanimë shteti i tij e ka bërë publik – madje edhe përmes zyrtarëve të lartë, siç është Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien – në raport me dinarin, dhe se ShBA-të s’mund ta bëjnë më të qartë se që e kanë bërë deri më tani pakënaqësinë që e kanë me ekzekutivin kosovar.

“Unë nuk e shoh partneritetin si një gjë binare. Po ose jo. Mirë dhe keq. E shoh me shumë më shumë nuance. Mund të kemi partneritet të mirë dhe partneritet të shumë të mirë. Mund të kemi partneritet jo aq të mirë, partneritet të pamjaftueshëm, apo jo? Pra, nuk është e thjeshtë: po ose jo. Por, do jem i sinqertë me ju, nuk mendoj se qeveria ime mund ta bëjë më të qartë se sa e ka bërë deri tani se jemi të pakënaqur me kualitetin e partneritet me Qeverinë Kurti”, deklaroi Hovener.

“Nuk besojmë se qeveria aktuale ka qenë mjaftueshëm e vëmendshme ndaj shqetësimeve që vazhdimisht ia kemi ngritur për planet dhe për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk po e bëjmë këtë për ta mbrojtur dinarin, por po e bëjmë sepse është e rëndësishme për SHBA-të dhe partnerët tanë, sepse nuk jemi vetëm”.

Sipas Hovenier, vendimi i fundit për dinarin “e ka afektuar kualitetin e partneritetit tonë”.

“S’mund të them më shumë tani, pos që ne nuk duam të jetë kjo situatë kështu. Por, ne besojmë se arsyeja e në reduktimin e kualitetit të partnershipit tonë, arsyeja përse s’mund t’iu them se partneriteti është i fuqishëm dhe pozitiv, është për shkak të këtij vendimi dhe për shkak të mungesë së përgjegjshmërisë së mjaftueshme të Qeverisë ndaj shqetësimeve që ne i kemi ngritur”, pohoi.

Hovenier, ndryshe nga seç ka thënë ekzekutivi kosovar se nuk shkojnë në Bruksel për të negociuar për dinarin – ngase kanë konsideruar që kjo është çështje e brendshme e Kosovës – ka potencuar se dinari është temë për dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Çështja e dinarit është çështje e dialogut dhe e kemi thënë shumë herë e në disa raste, se ne besojmë që kjo kërkon diskutim në dialog”, deklaroi Hovenier.

“Pse mendojmë se është çështje për dialog? Është krejt e qartë, sepse është nën planin e Ahtisaar-it. Brenda kushteve nën të cilat Kosova pranoi mbështetjen tonë për pavarësinë e vet, përkushtime janë bërë në lidhje me mbrojtje të veçanta dhe aranzhime specifike për minoritetet në Kosovë”, pohoi ambasadori.

Në Bruksel, javën e kaluar, me ftesë të ndërmjetësit Miroslav Lajçak, u mbajt një takim në mes të delegacionit shqiptar të Kosovës – që përfaqësohej vetëm me nivel ekspertësh, pra me zyrtarë të BQK-së – dhe atij serb, që kryesohej nga drejtori i të ashtuquajtur “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Sipas Hovenier, takimi në kryeqendrën evropiane ishte me respekt të ndërsjellë dhe pati takime me rëndësi, por duhet edhe niveli politik të përfshihet, sepse çështja është shumë politike.

“Sipas asaj që di unë është se takimi në Bruksel ishte takim me respekt dhe se disa biseda të rëndësishme janë bërë. Por, këtu ka çështje politike që duhet të diskutohen, prandaj shpresa ime është që Qeveria e Kosovës – derisa kemi respekt maksimal për guvernatorin – gjithashtu do të dërgonte reprezentues në këto bisedime që ka aftësinë dhe autoritetin të adresojë çështjet politike që janë pjesë e madhe e kësaj çështje”.

“Mbështetja nuk vjen falas”

Diplomati amerikan ka pohuar se mbështesin Kosovën, por se kjo përkrahje nuk vjen falas.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e donë Kosovën të avancojë në trajektoren e vetë evropiane dhe Euro-atlantike, por kjo nuk vjen falas”, ka thënë Hovenier.

“Kam vërejtur se një numër i njerëzve në Kosovë duken të befasuar që derisa SHBA-të e kanë mbështetur, e mbështesin dhe do t’i mbështesin qytetarët e Kosovës, projektin e Kosovës, ta shoh këtë vend të arrijë potencialin e vet të plotë, që jemi të përkushtuar siç kemi qenë gjithmonë, kjo nuk nënkupton se do t’i japim ‘letër të bardhë’ çdo Qeverie të Kosovës në çdo përzgjedhje të politikave që bën”.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë projekt të Kosovës, por askush nuk duhet të jetë i befasuar kur gjejmë se qeveria nuk po vepron krejtësisht në përputhje me premtimet e bëra më parë ashtu siç i kuptojmë ne ato premtime. Këto çështje janë gjithashtu pjesë e bisedimeve që kam me kryeministrin Kurti”, deklaroi Hovenier.

“Lajmet për sanksione të pavërteta”

Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, Hovenier ka folur edhe rreth disa lajmeve se do të ketë sanksione ditëve të ardhshme për ministra e politikanë të Qeverisë së Kosovë, por tha se të njëjtat janë krejtësisht informacione të pavërteta.

“Jam në dijeni se gjatë vikendit kishte disa raportime jo korrekte dhe të papërgjegjshme rreth vendimeve nga qeveria e SHBA-ve në raport me distancimin ndaj disa individëve për shkak të politikave të caktuara, por ne nuk para-flasim  për vendime për sanksione derisa ta bëjmë vetë publikisht”, pohoi Hovenier.

Ai theksoi se kur SHBA-të vendosin të sanksionojnë dikë, ajo kuptohet nga vetë ata dhe në formë krejt të qartë e direkte.

“Mund t’iu them që nëse do ta sanksionojmë dikë, do ta dini dhe mënyra se si do ta dini nuk është për shkak të ndonjë llogarie në Twitter nga burime të dyshimta, por do të jetë si rezultat i një deklarate krejtësisht të qartë të Qeverisë amerikane. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk besoj se do të ndodhë”, shtoi.

“I habitur se si disa persona japin mendim pa qenë ekspertë kushtetues”

Duke folur për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i pranuar në parim nga Kosova – ai ka theksuar se është i “habitur” se si disa persona e komentojnë kushtetutshmërinë e tij duke mos qenë ekspertë të kësaj fushe.

“Pra, Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendimin nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo, unë kam mbetur i habitur nga numri i njerëzve që kanë mendime për këtë që nuk janë studiues apo ekspertë kushtetues”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan e këshilluar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë draft-statut.

“Në këtë mënyrë, Kosova do të përfitonte në mënyrë substanciale. Do të ekzistojë një përgjigje nëse [dokumenti] është kushtetues apo jo, do të dihet a ka kompetenca ekzekutive apo jo, dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim. Diçka e tillë do të krijojë një dinamikë ndryshe dhe do të reflektojë përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet që ka”, shtoi.

“S’ka nevojë për konferencë ndërkombëtare”

Diplomati amerikan deklaroi se shteti i tij nuk e sheh të nevojshme organizimin e një konference ndërkombëtare për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, por për vullnet më të fortë politik të të dyja palëve në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tani në kuadër të procesit të dialogut të fasilituar nga BE.

Ai insistoi se marrëveshjet ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, duke përmendur refuzimin e të dyja palëve për të lëvizur drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

“Ne kemi një marrëveshje shumë të mirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ne e kemi thënë vazhdimisht që presim zbatim të plotë të të gjitha detyrimeve. Ne s’e shohim nevojën për një konferencë ndërkombëtare – ne kemi nevojë për një vullnet më të fortë politik nga të dyja palët për të përmbushur obligimet që i kanë marrë përsipër”, tha ai.

“Nuk ka nevojë për konferenca – ka nevojë për vullnet politik dhe veprim që të dyja qeveritë të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre. Dhe jemi të zhgënjyer që nuk është duke ndodhur diçka e tillë”, shtoi diplomati amerikan, derisa ftoi sërish Kosovën e Serbinë që të angazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve nën kujdesin e BE-së.

Të ngjashme