Lajme
Ndëshkimet ndaj Kosovës: Moskuptimi i ‘zahmetshëm’ i Mimoza Kusarit, shefes së deputetëve të VV-së
Demokracia
13:07 | 02 Korrik 2023

Share:

Dikush mund të thotë që Kosova e meriton të ndëshkohet vetëm që Mimoza Kusari është shefe e mbi 50 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ne nuk po e themi. Megjithatë, fjalët e saj për këto ndëshkime ndjellin – thënë më e pakta – pasiguri.

Kur shefja e Grupit Parlamentar të VV-së nuk mund ta lexojë mendjen e kryeministrit Albin Kurti, atëherë kush mundet? Vështirë të thuhet. Megjithatë, shefja në fjalë nga vetë fjalët e saj, del se s’mund ta lexojë atë mendje.

Ajo i ka dhënë dy prononcime mjaft interesante ditët e fundit – të karakterizuara me një heshtje të madhe nga kjo parti – dhe që duhen kombinuar me një prononcim tjetër para tri javësh.

BE-ja s’mund të artikulojë

Megjithëse bën pjesë në një legjislaturë të dëshmueshme si e padijshme, znj. Kusari Lila i shkroi këto fjalë mjaft të rënda më 29 qershor në llogarinë e saj në Twitter.

“Do të jetë e para herë në histori të BE-së dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vë masa (ndëshkuese) ndaj një demokracia për arsye që s’mund t’i artikulojë.”

Dhe, vazhdoi: “Ose do të jetë shkaku që Kosova provoi të zgjatonte sundimin e ligjit në territorin e saj dhe që mbajti zgjedhje dhe respektoi rezultatet.”

Pra, BE-ja sipas Mimoza Kusarit nuk po arrinte t’i artikulonte arsyet prapa ndëshkimit të Kosovës. Por, në anën tjetër cili është artikulimi për ngujimin 30 e kusur ditor të Lulzim Hetemit, kryetarit të Leposaviqit, në zyret e ndërtesës komunale?

Kusari nuk ka ndonjë përgjigje.

Sipas fjalorit të Oxfordit, “artikulimi” (ang. Articulate) është aftësia për të folur rrjedhshëm dhe në mënyrë koherente.

Pra, znj. Kusari – me apo pa dashje – edhe e ka bërë një fyerje goxha të rëndë dhe të ulët ndaj BE-së.

Të pakuptimta

Në po të njëjtën ditë, znj. Kusari Lila ka folur sërish në lidhje me masat ndëshkuese në fjalë.

Dhe përsëri ka dhënë deklarata që… sfidojnë logjikën.

“Për ne në fakt është tërësisht e pakuptimtë që në këtë formë dhe mënyrë të prezantohen masat ndaj Kosovës për një çështje në të cilën Kosova nuk ka kontribuuar në kuptimin e përkeqësimit të situatës…”, u shpreh ajo.

Moskuptimin e Kusarit mund ta kuptonim nëse masat ndëshkuese nuk ishin paralajmëruar shumë e shumë kohë më parë.

Nuk do të ketë sanksione

Por, moskuptimi në fjalë i ka rrënjët goxha më thellë, pasi shefja e deputetëve të VV-së ishte e bindur më 7 qershor se Kosova nuk do të hynte në sanksionet e BE-së dhe ShBA-ve.

“Më duhet me ritheksu se Kosova nuk do të hyjë në sanksione as të Bashkimit Evropian e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehej ajo në Debat Plus.

Ajo provonte ta relativizonte gjithë situatën duke thënë që përjashtimi i Kosovës nga Defender 2023 ishte “një formë e komunikimit të pakënaqësisë, në këtë rast nga ShBA-ja.”, shkruan Nacionale

Relativizimi i situatës – e edhe moskuptimi – shkonte më tej duke u shprehur që situatë edhe më dramatike me masa ndëshkuese ishte në vitin 2018, kur ish-kryeministri Haradinaj e kishte vendosur taksën 100% ndaj produkteve serbe.

Vetëvendosje edhe më tej nuk ka shprehur një qëndrim në lidhje me ndëshkimet. Kryeministri Kurti ndërkohë ka qenë i mjegullt në sqarimet e tij.

Çka na thonë këto deklarata? Më e rëndësishmja, se as Kusari që ka funksion shumë të lartë dhe askush tjetër nga vartësit e Kurtit në fakt nuk e ka kuptuar se si po i përpunon në mendjen e tij shefi zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me ndëshkimet. Po ashtu, na tregon se sa herë që Kurti tregohet i heshtur për një çështje, atëherë vartësit e tij nuk do të kenë fjalë që të shprehen për atë çështje.

*ZAHMET m. bised. vjet.

  • Mundim, mund; vështirësi, zor. Me (pa) zahmet. Ka zahmet. E futi në zahmet. Bëj zahmet! përpiqu!; mos përto! Hoqi zahmet u lodh, u mundua. Sa të bën zahmeti? Sa të bën mundimi (puna)?, sa duhet të të paguaj për këtë punë?

Të ngjashme