Lajme
“Herë 1.5, herë 1.6 milionë” | ASK-ja manipulon publikun ende pa publikuar të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë
Demokracia
10:50 | 27 Maj 2024

Share:

Kosova pritet t’i ketë 1.6 milion banorë. Kështu ka thënë sot ud.drejtori i ASK-së, Avni Kastrati në një konferencë përmbyllëse për procesin e regjistrimit të popullsisë më Kosovë. Ai tha se të dhënat do të publikohen në pjesën e parë të muajit korrik.

“Është ditë e madhe për Kosovën dhe për të gjithë. Projekt madhor që ka vlerë në disa fusha. ASK falënderon të gjithë për bashkëpunim në këtë proces të regjistrimit të popullsisë. Kosova pritet të ketë përafërsisht 1.6 milion banorë”, theksoi ai para mediave.

Në procesin e mëparshëm të regjistrimit të popullsisë, të mbajtur në vitin 2011, patën marrë pjesë rreth 1.74 milion banorë.

Kjo do të thotë se popullsia në Kosovë besohet të ketë rënë për rreth tetë për qind.

Kastrati, është shprehur i kënaqur me procesin e regjistrimit dhe ka thënë se janë plotësuar të gjitha parimet ndërkombëtare për procese të tilla.

“Në përgjithësi të gjitha komunitetet në Kosovë kanë qenë të hapura dhe kanë qenë në favor të regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka qenë masive, përveç komunitetit serb në katër komunat në veri, që kanë marrë pjesë pjesërisht”, ka thënë ai.

Më 5 prill, kur edhe pati filluar regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Ai proces nuk është mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa edhe serbët në komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e patën bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Kastrati ka thënë se tani do të punohet në përpunimim, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave.

Sipas tij, të dhënat preliminare mund të publikohen dikur gjatë pjesës së parë të muajit korrik, ndërsa të dhënat finale pritet të publikohen rreth gjashtë muaj pas datës së nisjes së regjistrimit.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka nisur me 5 prill dhe ka përfunduar me 24 maj.

Sipas regjistrimit më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Të ngjashme