Lajme
Ndahen 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së shtetases argjentinase që u vra në Fushë Kosovë
Demokracia
11:18 | 13 Shtator 2023

Share:

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimet e transportimit të kufomës së shtetases argjentinase e cila muaj më parë u vra në Fushë Kosovë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ndau 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës të së ndjerës Maria Clara Urdungaray nga Prishtina për në Argjentinë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli para kabinetit qeveritar tha se kërkesa për mbulimin e shpenzimeve për transportimin e kufomës është bërë nga avokatja e familjes të së ndjerës.

“Më datë 1 shtator 2023, avokatja e familjes Urdungaray për shkak të vështirësive financiare të familjes ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe ka paraqitur prokurën e saj zyrtare të noterizuar për mbështetje financiare për transportimin e kufomës së shtetases së ndjerë Maria Clara Urdungaray nga Prishtina për në Argjentinë. MD duke marrë parasysh këtë situatë ka propozuar kërkesë për ndarjen e mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimet e transportimit të kufomës. 4 mijë e 200 euro dhe do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë”, tha Qorrolli.

Argjentinasja 27-vjeçare ka vdekur më 2 gusht pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, Endrit Nika.

Ky i fundit me shtetësi zvicerane, është arrestuar nga autoritetet vendore si i dyshuar për rastin. /Telegrafi/

Të ngjashme