Sport
Napoli shkatërron Juventusin në derbin e Serie A, shënon gol edhe Amir Rrahmani
Demokracia
22:54 | 13 Janar 2023

Share:

Napoli ka shkatërruar Juventusin në derbin e xhiros së 18-të në elitën e futbollit italian, duke e mundur me rezultat të thellë 5-1.

Napoli e nisi për mrekulli ndeshjen ku vetëm pas 13 minutave lojë arriti të kalonte në epërsi, falë golit nga sulmuesi nigerian Victor Osimhen që realizoi për 1-0.

Vendasit vazhduan duke sulmuar dhe në minutën e 39-të erdhi edhe goli i dytë nga skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti.

Sulmuesi nigerian, Victor Osimhen asistoi kësaj radhe te Khvicha Kvaratskhelia, i cili realizoi bukur për 2-0.

Ndërkohë Juventusi u rikthye në lojë me golin e shënuar nga Angel Di Maria tre minuta më vonë për ta ngushtuar epërsinë në 2-1.

Me epërsinë minimale të Napolit 2-1 përfunduan 45 minutat e para.

Napoli vazhdoi shkëlqimin edhe në pjesën e dytë, ku radha për të shënuar i erdhi edhe kapiteni të Kosovës, Amir Rrahmani.

Kvicha Kvaratskhelia asistoi kësaj radhe te qendërmbrojtësi kosovar i cili me një goditje të fuqishme realizoi për 3-1 në minutën e 55-të.

Lideri aktual nuk i ndali sulmet dhe 10 minuta më vonë erdhi edhe goli i katërt, me Kvaran që asistoi sërish te Victor Osimhen i cili shënoi për 4-1.

Shtatë minuta më vonë, reprezentuesi maqedonas Elijf Elmas realizoi për rezultatin përfundimtar 5-1.

Deri në fund dy ekipet patën edhe raste të tjera shënimi, por që rezultati mbeti i pandryshuar dhe Napoli triumfuar me rezultat 5-1, ku ishte fitorja më e thellë ndaj Zonjës së Vjetër.

Napoli me këtë fitore vazhdon kryesimin në Serie A me 47 pikë, 10 më shumë se Milani e Juventusi që ndajnë pozitën dy dhe tre.

Të ngjashme