Lajme
Murati: Kushtetuesesja vendosi masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja
Demokracia
17:27 | 04 Shtator 2023

Share:

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se Kushtetuesja sot mori vendim “për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, pasi gjykata më e lartë në vend e pezulloi vendimin për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë.

Murati tha se kështu janë pezulluar edhe vendimet e marra prej disa komunave për faljen e një pjese të barrës tatimore.

“Gjykata Kushtetuese paska marrë vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro. Neni 5 e përcakton që vendimmarrja për falje u takon komunave. Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja. Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave”, shkroi Murati në Facebook.

Kushtetuesja vendosi masën e përkohshme deri më 30 nëntor për zbatimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili hyri në fuqi më 16 gusht.

“Masa e pezullimit është vendosur deri më 30 nëntor, mjaftueshëm sa për të qenë më vonë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është me 30 shtator”, shkroi Murati.

“Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese””, shtoi ministri.

 

Të ngjashme