Lajme
Mungesa e marrëveshjes në Bruksel ua zgjat jetën targave të Serbisë në Kosovë
Demokracia
21:24 | 14 Maj 2022

Share:

Mungesa e një marrëveshje përfundimtare për targat në Bruksel po e zgjat përdorimin e tabelave të Serbisë në Kosovës. Në këtë mënyrë shteti serb po vazhdon të nxjerr tabela me akronime të qyteteve të Kosovës (KM, PR, PZ) për serbët e Kosovës. Përdorimi i këtyre tabelave po shihet si shkelje e sovranitetit të Kosovës

Kosova dhe Serbia përsëri të premten kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për targat në Bruksel. Zvarritje e një marrëveshje të tillë më së shumti po i leverdisë Serbisë.

Në këtë mënyrë shteti serb po vazhdon të nxjerr tabela me akronime të qyteteve të Kosovës (KM, PR, PZ) për serbët e Kosovës.

Vazhdimi i lëshimit të këtyre tabelave nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë po konsiderohet si shkelje e sovranitetit të Kosovës.

Monitoruesit e këtij procesi kanë vlerësuar se pala serbe qëllimshëm po e zvarritë arritjen e kësaj marrëveshje.

Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se Kosova duhet të veprojë njëanshëm për të ndalur përdorimin e këtyre tabelave.

Gazmir Raci, këshilltar i ish-kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se përdorimi i këtyre tabelave duhet të ndalohet sa më shpejt.

“Targat ilegale duhet të hiqen nga qarkullimit, sepse ishte gabimi vazhdimi i tyre për përdorim përsëri pasi që në fazën e kaluar dy herë kanë pasur mundësi tranzicioni deri 5 vjet për të kaluar në tabelat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Raci.

Ai ka vlerësuar se nëse Serbia nuk bindet për një marrëveshje përfundimtare për këtë çështje, Kosova duhet të vendos reciprocitet. “Dialogu për targat duhet të përfundoj me vendosje të reciprocitetit, sepse po humbet kohë koti në këtë drejtim. Dialogu teknik ka degjeneruar në masë të madhe. Kosova të fokusohet në finalizimin e pikave të marrëveshjes finale ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër. Çdo gjë tjetër e komplikon këtë proces. Shteti Kosovës është shtet unitar, funksional dhe nuk do të këtë pushtet të tretë apo të ndërmjetëm sa për t’i akomoduar kërkesat e Serbisë, sepse Ahtisari u ka dhënë maksimumin e tyre nëse krahasohet me pozitat e pakica tjera në rajon”, ka thënë Raci.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka gabuar kur ka lejuar vitin e kaluar vazhdimin e përdorimit të këtyre tabelave.

Pas dështimit të takimit të 21 prillit, ai ka thënë se Serbia mund ta zvarrisë qëllimisht arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“A na kanë thënë se targat KM do të jenë vetëm gjashtë muaj? A ka kaluar afati? A jem futur në cikël të pafundësisë? Pra, Serbia ka arritur që të lëshojë targa të Serbisë për qytete të Kosovës pa afat. Sepse çështja tash është në ajër, dhe palët janë marrë vesh që marrëveshja paraprake të vazhdojë pa afat. Shikoni çfarë dëmi kanë bërë. Në këtë studio te ju kanë thënë se kjo çështje nuk është problematike, sepse  vetëm për 6 muaj po i lëshojnë targat KM. Tani nuk është vetëm gjashtë muaj, janë futur në cikël të pafundësisë deri në marrëveshjen tjetër të pajtueshme edhe me palën tjetër, e pala tjetër nuk pajtohet fare. Kjo është përgatitje”, kishte thënë Abdixhiku në “DebatPlus”.

Kurse, njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se vazhdimi i përdorimit te tabelave serbe në territorin e Kosovës është cenim i sovranitetit.

Politologu Avdi Smajlaj ka thënë se shkeljen e zbut marrëveshja që është bërë në mes të dy shteteve.

“Përderisa është me lejen e shtetit, është pak e diskutueshme. Sikur të ndodhte pa lejen e shtetit, atëherë do të ishte shkelje e pastër e sovranitetit. Me aq sa di, kjo është pjesë e marrëveshjes. Megjithatë, specifikat që ka relacioni Kosovë-Serbi, e kaluara, ambiciet e Serbisë, kontestimi i shtetësisë, dhe simbolet e targave të vjetra, janë njëfarë shkelje e sovranitetit”, ka thënë ai, duke shtuar se kufizimi i lëvizjes për automjetet me këto targa mund të bëhet vetëm me një marrëveshje të re në mes të dy shteteve.

Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për dështim të marrëveshjes

Pas përfundimit  të takimit në Bruksel, palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështim të arritjes së një marrëveshje të përhershme për targat.

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, edhe sot ka akuzuar Serbinë se ka penguar marrëveshjen për targat.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kosova ka qenë konstruktive.

“Përkundër pritjeve dhe angazhimit para takimit, Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel. Zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit. Konstruktiviteti dhe kreativiteti nga ana jonë është i nevojshëm dhe i dobishëm, por me sa duket jo i mjaftueshëm. Dua të falënderoj Miroslav Lajcakun  për interesin dhe përpjekjet e tij të sinqerta drejt përfundimit të suksesshëm të negociatave për targat dhe energjinë”, ka shkruar Bislimi.

Edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar Kosovën për mungesën e arritjes së kësaj marrëveshje.

Pas takimit, ai ka thënë se Prishtina nuk është treguar konstruktive në biseda.

“Ne disa tema ka hapësirë për t’u marrë vesh, por nevojitet edhe pajtimi i anës tjetër. As sot nuk erdhi deri te takimi direkt me z. Bislimi sepse ai refuzoi të flasim për Asociacionin dhe për të pagjeturit”, ka deklaruar Petkoviq.

Ndërsa, ndërmjetësuesi i këtij takimi Miroslav Lajçak, ka thënë se në këtë raund ka pasur progres në temat tjera. “Rezultate të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por u bë përparim për çështje tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak në “Twitter”.

Më 30 shtator të vitit të kaluar, në Bruksel, është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Vendosja e masës së reciprocitetit në targa nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar, kishte shkaktuar tensione në pjesën veriore të vendit. Vendimi i qeverisë tani detyronte automjetet me targa të Serbisë që hynin në Kosovë të vendosin targa të përkohshme, ashtu siç bënin automjetet e Kosovës që hynin në Serbi. Kjo kishte nxitur serbët që t’i bllokonin rrugët me mjete të ndryshme. Për t’i evituar tensionet kishte ndërhyrë BE-ja, duke i thirrur palët në Bruksel për arritjen e marrëveshjes së përkohshme.

Edhe më 21 prill të këtij viti palët tentuan ta arrijnë një marrëveshje, por pa sukses.

Të ngjashme