Lajme
“Mund të jetë ministria…” | Osmani në kundërshtim me Kushtetutën tenton që Zajednicën të mos e kalojë në mbledhje të Qeverisë
Demokracia
10:02 | 24 Prill 2024

Share:

“Unë nuk mund të përcaktojë afate. Sipas statutit, por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e Qeverisë së Kosovës. Pra, mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë, mirëpo kjo varet shumë edhe nga rrjedha e dialogut”.

Kjo ka qenë përgjigja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, më 23 prill 2024, kur është pyetur nga Zëri i Amerikës se “a pritet që statuti që bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë Kosovës për Asociacionin të shkojë së shpejti në Gjykatën Kushtetuese?”.

Me anë të kësaj përgjigje, presidentja Osmani ka përmendur dy mundësi se kush do të mund ta dërgojë Statutin për themelimin e Zajednicës / Asociacionit. “… mund të jetë ministria përkatëse apo një vendim i qeverisë…”, ka thënë Osmani.

Një përgjigje e tillë e presidentes Osmani është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës [Neni 93 – Kompetencat e Qeverisë] dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 43/19 me anë të të cilit ishte hedhur poshtë Ligji nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.

KUSHTETUTA E KOSOVËS: QEVERIA MUND TË REFEROJË ÇËSHTJE NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Se a mund të referojë një Ministri ndonjë çështje në Gjykatën Kushtetuese, përgjigjja është e qartë në Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës kjo e drejtë nuk i takon një dikasteri të ekzekutivit.

Referimi i çështjeve në Gjykatën Kushtetuese është një kompetencë vetëm e Qeverisë së Kosovës, si tërësi dhe në asnjë rrethanë e ndonjë pjese të saj apo ministrive.

Një kompetencë e tillë nuk i është dhënë ministrive as në Ligjin Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo mund të shihet qartësisht në nenin 11 të këtij ligji ku listohen “Kompetencat e ministrave”.


2019 – AKTGJYKIMI QË NDALON DELEGIMIN E DETYRAVE TË QEVERISË

Deklarata e presidentes Osmani është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 43/19 me anë të të cilit ishte hedhur poshtë Ligji nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Ky Aktgjykim i Kushtetueses ndalon specifikisht delegimin e detyrave të Qeverisë së Kosovës tek trupat apo institucionet tjera. Pra, me këtë Aktgjykim, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar Ligjin nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, pra rrjedhimisht edhe të trupës së krijuar me ligj nga Qeveria e Kosovës – “Delegacionin shtetëror”.

Gjykata Kushtetuese ishte pajtuar me deputetët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët asokohe e kishin dërguar në këtë institucion ligjin në fjalë, pasi kishte vlerësuar se “Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Megjithëse Kushtetuesja kishte konstatuar qartësisht se nuk mund të barten kompetencat e institucioneve kushtetuese dhe se normat kushtetuese në mënyrë shprehimore përcaktojnë obligimin përkitazi me ushtrimin e kompetencave, presidentja Osmani në shkelje të Kushtetutës së Kosovës ka lënë të hapur mundësinë që të shmangen kompetencat kushtetuese.

Nëse kjo rrugë e përmendur nga Osmani ndiqet edhe zyrtarisht, kjo mund të prodhojë pasoja të ndryshme, përfshirë mundësinë që Gjykata Kushtetuese ta mos e trajtojë çështjen për shkak se nuk është referuar nga institucioni adekuat.

Përveç kësaj, një “taktikë” e tillë e drejtuesve të shtetit të Kosovës, Osmanit – Kurtit – Konjufcës, do të prodhonte edhe pasoja të mëdha në joseriozitetin e politikës shtetërore të Republikës së Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-në dhe BE-në.

Në intervistën e saj për “Zërin e Amerikës”, presidentja Osmani ka prezantuar edhe formulën e re manipuluese sipas së cilës Qeveria e Kosovës mund ta miratojë Statutin për Themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe edhe pa u pajtuar me përmbajtjen e tij.

“… patjetër duhet të ketë akt paraprak të Qeverisë, i cili jo domosdoshmërisht duhet të pajtohet me përmbajtjen e Statutit [Zajednicës / Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe], por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje”, ka thënë Osmani.

Por, përveç aspektit manipulativ, kjo përgjigje e Osmanit është edhe absurde pasi nuk ka sqaruar sesi është e mundur që Qeveria e Kosovës të miratojë Statutin për themelimin e Zajednicës dhe njëkohësish të mos pajtohet me përmbajtjen e tij. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Dredhia e Osmanit | Presidentja shpik formulën manipuluese se Qeveria mund ta miratojë Statutin e Zajednicës pa u pajtuar me përmbajtjen e tij

Të ngjashme