Lajme
MPJ e Finlandës dhe Fondacioni i Ahtisarit: S’kemi biseduar për modalitetet e Asociacionit
Demokracia
17:43 | 05 Prill 2023

Share:

Një ekip nga Finlanda, i përbërë nga një zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një e Fondacionit për Paqe “Marti Ahtisaari” (CMI), të shoqëruar nga ambasadori i tyre në Prishtinë në pjesën e fundit të muajit mars kanë zhvilluar takime me tri partitë opozitare në vend, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

Por cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite të delegacionit finlandez në Kosovë dhe a kishin diskutuar në këto takim për ndonjë modalitet të Asociacionit, meqë ky aktivitet erdhi pas dakordimit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Finlandës dhe Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari”.

Përmes një përgjigje të përbashkët ata kanë theksuar se Finlanda si një vend anëtar i BE-së që është aktiv dhe i interesuar ka ofruar përkrahjen për dialogun që e ndërmjetëson Brukseli. Megjithatë kanë sqaruar se në takime s’kanë diskutuar për temën e Asociacionit apo ndonjë modaliteti të tij.

“Ne nuk kemi diskutuar modalitetet e Asociacionit dhe nuk ka qenë pjesë e agjendës sonë”, kanë thënë dy institucionet respektive.

Tutje kanë sqaruar se mbështetja e tyre fokusohet në ngritjen e vetëdijes dhe ndërtimin e kapaciteteve në mesin e atyre që marrin vendime në politikë për aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Puna që bëjnë, thonë se është e pavarur nga dialogu që lehtëson BE-ja dhe që nuk synojnë që të marrin pjesë apo të ndërhyjnë në procesin politik të dialogut që ndërmjetësohet nga Miroslav Lajcak dhe Brukseli.

“Aktivitetet e mbështetura nga Finlanda dhe të zbatuara në partneritet me CMI, janë të pavarura nga Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, por të koordinuara me Përfaqësuesin Special Miroslav Lajcak pasi synojnë të mbështesin mandatin e tij. CMI dhe Finlanda nuk synojnë të marrin pjesë apo të ndërhyjnë në procesin politik të Dialogut, i cili mbetet i lehtësuar nga BE dhe Përfaqësuesi Special i Be-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në përgjigje.

Liderët e partive opozitare në njoftimet e tyre që kanë publikuar rreth takimit, kanë treguar se me ambasadorin finlandez Matti Nissinen, zyrtaren e MPJ-së Jeeni Laakso dhe atë të CMI-së, Annina Peltonen, kishin biseduar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas arritjes së marrëveshjes në Ohër, ku Kosova u pajtua që të themelojë Asociacionin.

Kosova dhe Serbia në Ohër janë pajtuar për Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin e Implementimit. Në pikën 10 të marrëveshjes Themelore flitet për zotimin që ka dhënë Kosova për implementimin e marrëveshjeve të kaluara në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndërkohë, në analiza të ndryshme përveç Tirolit Jugor, si një model për autonominë e serbëve të Kosovës, po përmenden edhe Ishujt Aland – rajon autonom dhe i demilitarizuar i Finlandës nga viti 1920 me një vendim të Lidhjes së Kombeve i riafirmuar edhe me rastin e hyrjes së Finlandës në BE.

Shumica e banorëve në këta ishuj flasin suedisht, rreth 86 përqind, ndërsa më pak se 5 për qind flasin finlandisht.

Emisari sllovak Miroslav Lajcak më herët ka konfirmuar se BE-ja ka përzgjedhur plotë 16 modele të Asociacionit, megjithatë ende s’është bërë e ditur ajo listë e BE-së.

Të ngjashme