Lajme
Misioni detar i Bashkimit Evropian – për të mbrojtur anijet në Detin e Kuq – nis më 19 shkurt
Demokracia
18:24 | 31 Janar 2024

Share:

Një mision detar i Bashkimit Evropian për të mbrojtur anijet tregtare në Detin e Kuq nga sulmet me raketa nga rebelët Houthi në Jemen pritet të nisë më 19 shkurt, njoftoi të mërkurën kryediplomati i bllokut.

“Siguria detare në Detin e Kuq është përkeqësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit dhe ne jemi duke avancuar shumë punën e një operacioni të ri detar me qëllim që të veprojmë në një mënyrë thjesht mbrojtëse për të mbrojtur anijet tregtare”, konfirmoi Josep Borrell pas një takimi jozyrtar të ministrat e mbrojtjes në Bruksel.

Sipas tij, qëllimi është të vendosin dhe nisin këtë mision, Aspides, më së voni më 19 shkurt.

Ministrat e punëve të jashtme nga i gjithë blloku janë planifikuar të takohen në kryeqytetin belg në atë datë dhe të vulosin planin me miratimin e tyre.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë nisur sulme me raketa dhe drone ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq që nga fillimi i ofensivës së Izraelit kundër Rripit të Gazës pas sulmeve vdekjeprurëse nga grupi militant Hamas kundër Izraelit më 7 tetor.

Deti i Kuq është një rrugë e rëndësishme tregtare përmes së cilës kalon rreth 12% e tregtisë globale duke përfshirë 30% të trafikut global të kontejnerëve.

Sulmet kanë detyruar disa kompani të mëdha të transportit detar të shmangin zonën në favor të rrugëve më të gjata dhe për rrjedhojë më të kushtueshme, të cilat kanë çuar në vonesa të transportit dhe tashmë kanë detyruar disa fabrika në Evropë të ndalojnë përkohësisht prodhimin.

Kjo, nga ana tjetër, ka ngritur frikën se inflacioni, i cili në ekonomitë perëndimore ka qenë në një prirje rënëse muajt e fundit, mund të fillojë të rritet përsëri dhe të lërë një ndikim më të qëndrueshëm në ekonomi.

Deri më tani vetëm pesë shtete anëtare kanë treguar publikisht se do të marrin pjesë në mision: Belgjika, Franca, Gjermania, Greqia, Italia.

Detajet që duhet ende të diskutohen përpara datës 19 shkurt përfshijnë personelin ushtarak dhe aftësitë që do të angazhohen në mision, cili vend do ta drejtojë atë dhe ku do të vendoset selia.

Franca, Greqia dhe Italia duket se synojnë rolin e udhëheqësit.

Në rastin e Belgjikës dhe Gjermanisë, vendimi për t’u bashkuar me misionin do të duhet të ratifikohet nga ligjvënësit, por zyrtarët nga të dy vendet u shfaqën të bindur se kjo mund të ndodhte shpejt.

Misioni i BE-së do të kufizohet rreptësisht në mbrojtjen e anijeve dhe përgjimin e raketave në hyrje, në kontrast me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, të cilat së bashku kanë bombarduar objektiva të shumta të Houthi-ve në dy raste të veçanta si pjesë e Operacionit Prosperity Guardian.

Borrell theksoi se aftësitë e përfshira në Aspides do të jenë “proporcionale me kërcënimin me të cilin po përballemi” dhe se “ne nuk do të kryejmë asnjë operacion në tokë, vetëm në det”.

“Sigurisht, ne do të koordinohemi me misione të tjera”, shtoi ai, duke iu referuar operacionit të udhëhequr nga SHBA.

Të ngjashme