Lajme
Miratohet urdhri në Shqipëri: Policët që kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat do përjashtohen
Demokracia
17:20 | 04 Dhjetor 2023

Share:

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka miratuar urdhrin e posaçëm që ka të bëjë me vetëdeklarimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, AMP dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat.

Urdhri shoqërohet nga formulari përkatës dhe është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.

Formulari i Vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim, strukturave të mësipërme dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve.

Ministria njofton se çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.

Ministria e Brendshme është e vendosur për të çuar para përgjegjësisë ata punonjës të strukturave që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe grupet kriminale.

Kujtojmë se më 1 dhjetor, u bë me dije se të gjithë efektivët, të cilët vërtetohet se kanë përdorur më parë aplikacionin e mesazhe të kriptuara, Sky ECC, rrezikojnë përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit.

Kështu tha Agjencia për Mbikëqyrjen Policore, përmes një njoftimi publik, ku bëhet me dije se si rrezikojnë policët e përfshirë në përgjimet e zbërthimit të Sky ECC.

Deri tani, nga zbërthimi i Sky ECC janë arrestuar disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë policorë, duke përfshirë edhe ish-nëndrejtorin e Policisë Tiranë, Erzen Breçani, apo zyrtarë të lartë aktualë si Dedan Gjoni dhe Oltion Bistri.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi 11 urdhër arreste, të cilat u ekzekutuan të hënën në kryeqytet, ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë.

Gjithashtu masa është dhënë për Dedan Gjonin, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, Bujar Ajezin dhe Besmir Muratin.

Ndaj Breçanit rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit.

“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme”.

Kështu ka deklaruar ish-drejtuesi i policisë Erzen Breçani në seancën në Gjykatën e Posaçme të enjten e 23 nëntorit.

Para trupës gjykuese ai ka thënë se e ka këshilluar të birin, Eralbi Breçani që të mos merrej me gjëra të paligjshme.

Ndërsa ka shtuar se vetë i ka shërbyer shtetit edhe duke vënë jetën në rrezik.

Breçani akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Bujar Germizi, një emër i njohur i botës së krimit në Kukës, në bashkëpunim me shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe Besmir Mustati dyshohet se tentuan të vrisnin dy vëllezër që jetonin në Britaninë e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Ndërkohë gjashtë persona janë shpallur në kërkim: Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, biznesmeni Ervin Mata, vëllai i gruas së Eralbi Breçanit; Albert Prenga; Ismail Zeneli; Bajram Grabova e Artan Sulejmani. Ndërkohë është caktuar masë sigurie detyrim me paraqitje për Jonida Babameto me detyrë oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Të ngjashme