Lajme
“Ministrja në bisht të ballanes”: Albulena Haxhiu ua kalon të gjithëve, jep tender 600 mijë euro për bileta
Demokracia
13:13 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Drejtësisë ka dhënë një tender në vlerë të 600 mijë eurove për bileta të avionit. Parashihet që me këto para të blihen 1500 bileta. Ky tender është më i madhi që deri më tani ministrat e Qeverisë Kurti e kanë dhënë për bileta, përveç Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Albulena Haxhiu, e cila drejton Ministrinë e Drejtësisë, duket se ditëve në vijim e ka një “mision” të madh për ta përfaqësuar Kosovën jashtë vendit.

Ky “mision” sekret i saj mund të zbulohet më vonë, kur ajo dhe kabineti i saj do të nisin fluturimet me avionë.

Në  “bisht” të ballanes, Haxhiu ka planifikuar të qëndrojë gjatë, pasi për bileta ka dhënë një tender në vlerë të 600 mijë eurove.

Ndonëse Ministria e Drejtësisë nuk ka linjë apo dikaster për lobim, siç bie fjala e ka Ministria e Punëve të Jashtme, vlera e parave për bileta është afërsisht e ngjashme më ministrinë që drejton Donika Gërvalla. Pesha e tenderit të MPJ-së ka vlerën e 741 mijë eurove.

Ministria e Drejtësisë në tenderin për “Bileta Aeroplani”, ka treguar se me paratë e dhëna do të blihen afërsisht 1 mijë 500 copë bileta, përcjell Demokracia.com.

“Shërbime të transportit ajrorë për Ministrinë e Drejtësisë dhe njësit e saj. Sipas përshkrimit në copë 1500. Vlera e një bileta është paraparë të jetë 400 euro. Vlera e biletës prej 400.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të  kontratës. Çmimi real do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemi kompjuterik i rezervimit”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje është treguar se për këtë tender kanë aplikuar 3 kompani, kurse fituese ështe shpallur “As travel”.

“Data e nënshkrimit të kontratës: 05.12.2023. Numri i tenderëve te pranuar: 3. Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 1. Emri zyrtar: “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 600,015.00 euro”.

Ministria e Drejtësisë ka treguar se “qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet për rezervimet dhe lëshime të aviobiletave për udhëtimet zyrtare”.

Demokracia.com ka raportuar edhe ditë më parë për disa institucione shtetërore që kanë shpenzuar mijëra euro në bileta të avionit.

Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë një tender për shërbime të transportit ajror, furnizim me aviobileta. Pesha e këtij tenderi kap vlerën e hiç më pak se 741 mijë euro. Numri i biletave të blera është thënë se do të jetë 1900 copë.

Nuk është bërë e ditur se ku do të shkojë, por edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i vetëquajtur “Çlirimtar i Shtimes”, sikurse paria e shtetit, ka planifikuar t’i hipën aeroplanit me paratë e komunës për udhëtime zyrtare. Ndërkohë edhe tri institucione të tjera kanë lidhur kontrata për bileta të aeroplanit, në një vlerë mjaft të madhe, shkruan Demokracia.com.

Aty ku është pajisur me bileta edhe presidentja Vjosa Osmani, do të blejë edhe komuna e vogël e Qemajl Aliut.

“Furnizim me bileta të udhëtimit me Aeroplan”. Kështu quhet tenderi i realizuar nga prokurimi komunal, ku furnizues është “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Për tetë bileta, komuna ka paguar 2400 euro. Ato do të shpenzohen brenda harkut kohor prej 12 muajve.

Me shërbime të transportit ajror – bileta, para pak ditësh është pajisur edhe Zyra e Presidentes së Kosovës. Biletat janë siguruar për 24 muaj, në një vlerë prej 117,003.00. Ato janë blerë tek kompania “As Travel”.

Para pak ditësh, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lidhur një kontratë të vlerës së madhe për 36 muaj më grupin e kompanive “Prime Tours&Travel Shpk”; “Airvoyage Shpk”. Vlera e kontratës është fiks 241 mijë e 298 euro.

Kompania “As Travel”, po del të jetë mjaft e favorizuar nga shteti. Me këtë kompani, para pak javëve ka lidhur kontratë njëvjeçare edhe Agjencia Qendrore e Prokurimit. Kontrata është lidhur për nevojat e agjencive të pavarura dhe kap vlerën 94 mijë e 400 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme