Lajme
Ministria e Financave përfundon në gjykatë për mbylljen e “Orendas”: Komercialja tregon pse nuk u mbajt asnjë seancë
Demokracia
16:25 | 17 Dhjetor 2023

Share:

Para më shumë se një viti, departamenti për Punë dhe Mirënqenie Sociale ne Ministrinë e Financave, kishte vendosur ta mbyllë qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë.

Kjo pas publikimit të videos të famshme ku disa inferemiere e godisnin një të moshuar, për çka edhe janë në proces gjyqësor.

Megjithatë, për mbylljen e qendrës, në Gjykatë ka përfunduar Ministria e Financave. Kjo pasi është paditur për shkak se vendimin pronari i qendrës e ka cilësuar si jo të drejtë.

E përkundër që padia është dorëzuar gati një vit më parë ndaj Ministrisë, ende nuk është mbajtur asnjë seancë.

Gjykata Komerciale në një përgjigje ka sqaruar se rasti pritet të shqyrtohet posa t’i vie radha.

“Për informatën Tuaj, të gjitha rastet në Gjykatën Komerciale trajtohen duke marrë për bazë trajtimin e lëndëve sipas kohës së dorëzimit të padisë dhe prioritetit ligjor, përkatësisht Strategjisë për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, Efikasiteti dhe Prioritizimi i lëndëve brenda Sistemit Gjyqësor, po ashtu bazuar edhe respektimin e nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në raport me të gjitha palët, rrjedhimisht e njëjta do të trajtohet bazuar në të lartshënuarat”, thuhet në përgjigje.

Pronari i qendrës kishte kërkuar edhe masë të përkohshme, megjithatë kërkesa ishte refuzuar.

“Në referim të kërkesës tuaj ju njoftoj se çështja në fjalë është pranuar në Dhomat e Shkallës së Parë më 28.03.2023, ndërsa lidhur me këtë gjykata me aktvendimin e datë 30.03.2023 ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit. Më 29.05.2023 Dhomat e Shkallës së Dytë, kanë refuzuar ankesën, ndërsa kanë vërtetuar vendimin e shkallës së parë”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, avokatja e qendrës “Orenda”, Albina Shala-Budakova, ka theksuar se raportet me të cilat është mbyllur qendra, janë kontradiktore.

“Siç po vërehet këta janë në kundërshtim me veten e tyre, sepse Komisoni i shkallës së dytë Ndryshon Raportin e Inspektimit pa qenë prezent dhe e paraqet ngjarjen ashtu si ata dëshirojnë, në favor të tyre. Inspektorët në vendngjarje nuk gjejnë parregullësi tjera përveq ngjarjes mediatike sulmin ndaj z. Minire e cila ka qenë rezidente në shtëpi, që të gjithë e kemi pa, ku ndaj kësaj ndodhie pronari Anton Rasaj është distancuar me kohë duke ndërmarrë veprime të mënjëhershme për largim nga vendi i punës”, ka thënë avokatja Shala-Budakova.

Avokatja më tutje ka deklaruar se ka dorëzuar disa urgjenca në Gjykatën Komerciale, por për të cilat nuk ka pasur përgjigje.

“Unë si përfaqësuese me autorizim, që nga koha e paraqitjes së padis kam paraqitur disa urgjenca, të cilat siç po shihet nuk i kanë kontribuar kësaj çështje fare për shkak se ende nuk është mbajtuar dhe as që jemi ftaur të marrim pjesë në ndonjë seanc për trajtim të kësaj çështje”, ka thënë avokatja.

Nacionale ditë më parë kishte raportuar se në këtë rast është përfshirë edhe shteti zviceran, pasi pronari i qendrës është shtetas i Zvicrës.

Nacionale ka publikuar Emailet e zv/ambasadores së Zvicrës në Kosovë, të cilës nuk i përgjigje askush nga qeveria.

Rreziku ekziston që nëse nuk shqyrtohen ankesat, rasti të shkojë edhe në Arbitrazh.

Të ngjashme