Lajme
Ministria e Drejtësisë s’e ndalon ‘luftën’ me vëllain e tre dëshmorëve: Synon t’ia shuajë departamentin që e udhëheq
Demokracia
11:42 | 21 Maj 2023

Share:

Beteja e Ministrisë së Drejtësisë me Elbasan Dervishajn, drejtor i Departamentit për Profesione të Lira, duket se nuk e ka ndërmend të ndalet. Kësaj radhe, MD-ja e udhëhequr nga Albulena Haxhiu po synon që ta shuajë këtë departament, dhe ta përfshijë në një departament tjetër. 

Elbasan Dervishaj, vëlla i tre dëshmorëve në luftën e fundit në Kosovë, që një kohë të gjatë është udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë. Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes dhe ministre Haxhiu, Dervishaj nuk po arrin t’i kryejë punët siç duhet.

Nacionale kohë më parë kishte raportuar se për shkak të bindjeve politike të Dervishajt që nuk përshtaten me ato të VV-së, ndaj tij zv/mninistri Sallahu kishte kërkuar një auditim të veçantë. Pra, auditim veç për një person. Kjo më pas ishte shpallur joligjore nga Këshilli Civil.

Dervishaj më vonë ishte dënuar me 20% heqje të pagës për dy muaj, për shkak se shpërndau një lajm në facebook, dhe kishte shkruar lidhur me vendimin e Këshillit Civil. Edhe këtë dënim, Këshilli e anuloi.

E betejat e Ministrisë së Drejtësisë me Dervishajn nuk janë ndalur. Nacionale së fundmi ka mësuar se në ministri po hartohet një rregullore e re për sistematizimin e vendeve të punës. Një nga ndryshimet kryesore që po bëhet në këtë rregullore, është që të shuhet Departamenti për Profesione të Lira të cilin e udhëheqë Elbasan Dervishaj.

Mediumi e ka siguruar draftin e kësaj rregulloreje. Aty, Departamenti që udhëhiqet nga vëllau i tre dëshmorëve, është përfshirë si divizion në kuadër të Departamentit Ligjor. Pra, për t’ia marrë një pjesë të madhe të kompetencave, dhe duke synuar largimin e Dervishajt nga posti i udhëheqësit të këtij departamenti.

Burime të ndryshme të afërta me zhvillimet, kanë thënë se ky ndryshim po bëhet kryekëput për shkak të inateve e betejave që ka pasur Ministria e Drejtësisë me Elbasan Dervishajn.

Edhe pse mediumi ka kërkuar të gjitha detajet nga Ministria e Drejtësisë, këta të fundit e kanë dhënë një përgjigje krejtësisht të shkurtër. Nuk kanë treguar nëse ky ndryshim vjen si pasojë e problemeve që kanë pasur direkt me Dervishajn.

“Një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë është edhe reformimi i brendshëm i Ministrisë. Shumë shpejt pritet finalizimi i rregullores së brendshme, e cila edhe do të jetë e qasshme për publikun”, thuhet në përgjigje.

Nacionale e ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë rreth një përplasje që kishte pasur Elbasan Dervishaj me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në muajin shkurt kur po diskutohej kjo rregullore. Burimet kanë thënë se në atë takim, Dervishaj e Haxhiu kishin debatuar me tone të ashpra.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Të ngjashme