Intervista
Miftaraj thotë se mungon guximi për ta hetuar korrupsionin: Mentaliteti i qeverisjes s’ka ndryshuar
Demokracia
09:18 | 17 Korrik 2022

Share:

Deklarimet se institucionet përgjegjëse do të bëjnë të pamundur në luftimin e krimit e korrupsionit, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Madje ai thotë se ka mungesë të guximit për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar veprat penale të korrupsionit.

Ai shton se mentaliteti nuk ka ndryshuar, duke pohuar se nuk po shihen rezultatet që garantojnë qeverisje me duar të pastra e të bazuar mbi parimet e sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë.

“Në bazë të monitorimit që jemi duke bërë mund të themi që nuk është ndonjë dallim i madh nga vitet paraprake. Pothuajse kemi të njëjtën mungesë të guximit për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar veprat penale të korrupsionit”.

“Kemi mungesë të plotë të zbatimit të dispozitave që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprave penale të korrupsionit, por që çka po shohim nuk ka mentalitet tjetër të qeverisjes që do të garantonte qeverisje me duar të pastra dhe qeverisje që është e bazuar mbi parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”, tha ai.

Lidhur me Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ai tha se komentet e Komisionit të Venecias do të duhej të merreshin seriozisht nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas Miftaraj, nëse ky ligj do të zbatohej në praktikë siç është paraparë atëherë do të ishte një metodë e jashtëzakonshme për të konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme e cila pasuri pastaj do të derdhej në buxhetin e Kosovës.

“Në publikimin e fundit që instituti për drejtësi e ka bërë në janar të këtij viti lidhur me byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e që ky ligj është e drejtë legjitime e Qeverisë për të konfiskuar pasurinë e fituar përmes veprave penale. Sidoqoftë i njëjti projektligj kishte pasur defekte të mëdha juridike të cilat cenonin qoftë sigurinë juridike por qoftë edhe të drejtat dhe liritë elementare të qytetarëve të cilin mund të ishin subjekt të këtij ligji. Në këtë drejtim besoj që komentet e komisionit të Venecia janë të vlefshme dhe do të duhej të merreshin seriozisht si nga Ministria e Drejtësisë po ashtu nga akterë të tjerë të cilët do të jenë të përfshirë në plotësim ndryshimin e këtij ligji”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.

“Me ligjin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë ka defekte aq të mëdha të cilat në një mënyrë e bëjnë të pamundur që  ky ligj të hyjë në fuqi nëse nuk evitohen problemet që kanë të bëjnë me mungesën e sigurisë juridike me kufizimet e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nëse ky ligj do të bëhej në mënyrën e duhur dhe nëse do të zbatohej në praktikë siç është paraparë atëherë do të ishte një metodë e jashtëzakonshme për të konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme e cila pasuri pastaj do të derdhej në buxhetin e Kosovës”, tha Miftaraj.

Të ngjashme