Lajme
Mickoski thirrje për “bashkim kombëtar maqedonas”: Të bashkohemi kundër Ali Ahmetit
Demokracia
17:09 | 20 Prill 2024

Share:

Me afrimin e zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, lideri i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, po e ngrit lart e më lart diskursin nacionalist, dhe cak kryesor ka shqiptarët, përkatësisht Ali Ahmetin, liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit drejtuesin e koalicionit “Fronti Evropian”.

Mickoksi është duke bërë thirrje për “pajtimin dhe bashkimin kombëtar maqedonas”, dhe duke premtuar qytetarëve maqedonas se “do t’ua kthejë shtetin”, duke aluduar kështu se gjoja partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, pra BDI-ja, e ka marrë atë, transmeton albanianpost.

Lideri i VMRO-DPMNE-së gjatë një tubimi në Kratovë, u bëri thirrje qytetarëve të kësaj zone që dalin sa më shumë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, në mënyrë që partia e Ali Ahmetit të mos marrë asnjë mandat në zonën zgjedhore 3 – pasi që për herë të parë në histori pritet që një parti politike shqiptare ta fitojë një deputet në këtë zonë të banuar me shumicë maqedonase.

“Po ju thërras publikisht, të bashkohemi. Të gjithë ju që jeni nga opozita, të përcaktuar ose ju të papërcaktuar, dilni në zgjedhje. Të mos lejojmë që Ali Ahmeti dhe BDI-ja të kenë deputetë në zonën zgjedhore tre, të mos lejojmë”, kërkoi ai.

Ndërsa, një ditë para kësaj, Mickoski nga Ohri deklaroi se do të punojë për “pajtimin” dhe “bashkimin” e kombit maqedonas, derisa shtoi se më nuk do t’i sulmojë dy liderët tjerë nacionalistë maqedonas, siç është ai i të majtës ekstreme “Levica”, Dimitar Apasiev – i cili kërkon që Maqedonia ta çnjohë pavarësinë e Kosovës, dhe bënë vazhdimisht thirrje anti-shqiptare.

“Unë do të filloj nismën time të parë për të siguruar unitetin kombëtar maqedonas duke shpallur moratorium dhe duke ndaluar të gjitha sulmet kundër ‘Të Majtës’ dhe partisë ‘ZNAM’. Këtë e ndjej si nevojë të popullit maqedonas, por edhe si obligim që të përpiqem të realizoj idenë e bashkimit kombëtar”, potencoi Mickoski.

Mirëpo, këtyre deklaratave nacionaliste u është kundërpërgjigjur BDI-ja.

Nga partia më e madhe shqiptare kanë potencuar se Mickoski dhe VMRO edhe publikisht kërkon një Maqedoni pa shqiptarët.

“Vokabolari i Mickoskit nuk është vetëm kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por edhe kundër Marrëveshjes kornizë së Ohrit, konkretisht kërkon rikthimin e shtetit para 23 viteve”, kanë thënë nga BDI-ja.

Në këtë drejtim, BDI dhe Fronti Evropian kanë shprehur shqetësimin e thellë për fjalorin nacionalist dhe anti-evropian të VRMO-së, “e cila duke e ndjerë humbjen më 24 prill dhe më 8 maj, po nxit urrejtjen ndëretnike dhe anti-evropiane në Maqedoninë e Veriut”.

Nga partia e Ahmetit ia kanë përkujtuar Mickoskit se Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e NATO-s me kryeministër Talat Xhaferin, ndërsa President “do të jetë kryediplomati më i suksesshëm deri më tani, Bujar Osmani”.

Nga ana tjetër, BDI i ka bërë thirrje opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN”, t’i thirrin mendjes dhe “të mos bëhen vegël e agjendave ruse që po proklamon VMRO dhe tellallët e tyre”, pasi që të njëjtit partinë nacionaliste e shohin si partnerë potencial pas zgjedhjeve të 8 majit.

Ndryshe, VMRO-DPMNE të gjithë fushatën zgjedhore e ka reduktuar në sulmet ndaj BDI-së, përkatësisht kryetarit Ali Ahmeti, por edhe kandidatit të “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Të ngjashme