Sport
Mergim Pefqeli, futbollisti që nuk i “tradhtoi” ngjyrat bardhekaltër në gjashtë vitet e fundit
Demokracia
15:30 | 06 Korrik 2022

Share:

Ndërroi disa skuadra në Superligën e Kosovës në futboll, por jo edhe ngjyrat. Mergim Pefqeli tani e gjashtë vite ka djerësitur vetëm fanellat me ngjyrat bardhëekaltër. 28-vjeçari ditë më parë nënshkroi kontratë dyvjeçare me Prishtinën, duke iu bashkuar skuadrës që ndodhet nën urdhrat e trajnerit, Ismet Munishi.

E veçanta për Pefqelin ishte se po regjistron edhe vitin e gjashtë me radhë që do bartë fanellën me ngjyrat bardhekaltër.

Pefqeli në një prononcim për Demokracia.com tha se kjo nuk ishte e planifikuar, por e quajti si rastësi të veçantë.

Kalimi te klubi me ngjyra të njëjta për gjashtë vjet radhazi është rastësi, jo ndonjë gjë e planifikuar por shumë e veçantë dhe rastësi e bukur gjithashtu”, tha Pefqeli të martën për Demokracia.com.

Mesfushori me tipare sulmuese që ka 75 paraqitje me Prishtinën vitet e kaluara tha se përkundër ofertave të tjera zgjodhi kryeqytetin për, siç tha ai, klubit t’i kthehen sukseset.

Kam pasur oferta nga klubet tjera perveç Prishtinës, por duke parë synimet dhe seriozitetin nga klubi kam vendosur t’i shërbej kryeqytetit që këtë sezon të rikthehen sukseset që meriton Prishtina”, shtoi ai.

Pefqeli vlerësoi lart edhe trajnerin Ismet Munishi i cili mori drejtimin e skuadrës pak kohë më parë.

Me trajnerin Ismet Munishi kemi punuar së bashku edhe në klubin Hajvalia, ku kemi pasur raporte të shkëlqyera. E vlerësojë shumë si trajner dhe jam shumë i bindur që në drejtim të tij e në bashkëpunim me të gjithë ne lojtarët do mundohemi qe t’i arrijmë synimet që kemi për këtë sezon”, theksoi në vazhdim futbollisti.

Krejt në fund, Pefqeli pati edhe një mesazh për t’iu dhënë tifozëve të klubit.

Mesazhi im për tifozerinë “Plisat” është që do luftoj deri në frymën e fundit si viteve të kaluara që i kam sheërbyer klubit që kryeqytetit t’i rikthehet suksesi që meriton”, tha për fund Mergim Pefqeli.

Mergim Pefqeli bartë këto ngjyra nga viti 2016 kur nga Trepça ’89 kaloi te Prishtina.

Nga “Fadil Vokrri” ai u transferua te Llapi, klub me ngjyra të njëjta. Pefqeli vetëm një vit më vonë u rikthye sërish në kryeqytet për t’u stolisur me titullin kampion.

Pefqeli në edicionin 2020/2021 nënshkroi me Malishevën, klubin bardhekaltër që u inkuadrua po atë sezon në elitë teksa para pak ditësh firmosi me klubin prishtinas./Demokracia.com/

Të ngjashme