OpEd
Mendimi i ri gjeopolitik
Demokracia
09:01 | 17 Mars 2023

Share:

Nga: Christopher Coker

Gjeopolitika si term daton nga pjesa e fundit të shekullit XIX dhe e njëjta vazhdon t’i ruajë parimet e veta. Së pari, zakonisht ekziston një armik dhe identiteti i tij nuk është i rëndësishëm për bindshmërinë e teorisë. Ai që është i rëndësishëm është fakti se gara duhet të jetë forcë motivuese e marrëdhënieve ndërkom­bëtare. E dyta, gjeopolitika presupozon një “lexim” të gjeogra­fisë (të hartave) që është tepër determinist, madje edhe fatalist. Ajo presupozon një interes të vazhdueshëm: balanca e fuqisë, pra disa vende rriten apo fuqizohen e disa dobësohen. Për t’i dhënë kuptim historisë strategjike duhet ndërtuar një kornizë të madhe konceptuale: zakonisht rendi politik mbizotërues shpesh është fragjil dhe ka nevojë për mbështetje (shpesh përmes forcave ushtarake).

Gjeopolitika kritike është shfaqur në vitet 1990 si kundërshtim ndaj asaj që mendohej se përbënte një determinizëm të vrazhdë që qëndronte pas disave nga konfliktet më të dhunshme të she­kullit. Pretendimi i saj nuk ishte i paarsyeshëm apo i palogjik­shëm: një tejvendosje e realiteteve politike në ato gjeografike që lejon që këto realitete të supozojnë një peshë gjeopolitike shpesh­herë kallpe. Agjenda e saj zakonisht është radikale ose e frymë­zuar nga majtizmi, kurse eksponentët e saj refuzojnë me gjithë mend një pjesë të mirë të mendimit që qëndron poshtë Luftës Globale kundër Terrorit (Global War on Terror, GWOT), për­fshirë narrativat e saj të frikës apo rrezikut. Për ata gjeografia është “hapësirë”, për të cilën ata pretendojnë se është një kon­struk­sion social. Ne jemi ajo që mendojmë se jemi, jo viktimë pasive e determinizmit gjeografik. Fuqitë e tokës dhe ato të detit nuk janë të paracaktuara që ta gjejnë njëra-tjetrën në konflikt; bile edhe identiteti i “bërthamës” dhe “periferisë”, ose i “Veriut” dhe “Jugut”, janë gjëra që ne i krijojmë, janë prodhime tonat. Siç ka argumentuar kritiku i madh letrar Nerthrop Frye në Fearful Symmetry (Simetri e frikshme), “qendra e realitetit është ajo ku dikush gjendet, kurse perimetri i saj është gjithë ajo që e kupti­mëson imagjinata jonë”.[1] Ç’e do që politikanët nuk janë kritikë letrarë dhe pak qeveri tregojnë rrëfime të tilla. Kina dhe Rusia, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara, s’e kundërshtojnë gjeopolitikën, ato ende flasin për gjeopolitikë dhe përderisa ato vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë, lufta do të jetë një mundësi e mbështetur nga elementi që gjithnjë i ka dhënë formë asaj: narrativa që ne përdorim.

Sidoqoftë, imagjinata gjeopolitike vazhdon të zhvillohet. Gjeo­polika kritike paraqet evidentim të kësaj – është edhe vazhdim edhe thyerje radikale e asaj që ka ikur; është edhe kritike edhe bashkëfajtore. Ajo na bën që të mos i shikojmë hartat, siç kemi vepruar, ngaqë përfaqësimet hapësinore të ndasive të njerëzi­mit, qofshin reale apo të imagjinuara, dhe jo më pak të vërteta, që thjesht të mos përfytyrohen. Por në të njëjtën kohë na nxit që t’i kufizojmë emocionet dhe dëshirat. Një libër i tillë është ai i Robert Kaplanit, The Revenge of Geography (Hakmarrja e gjeografisë), që flet për rritjen e një disipline të re, sociografisë, që na ndihmon ta kuptojmë “gjeografinë e re urbane të përma­llimit të thellë personal për megaqytetet e së nesërmes (kështje­llat e gjera të përpjekjes personale)”.[2] Dhe hartat tona të një malli të tillë mund të jenë të detajuara po aq sa përshkrimet e vet qyteteve.
Përktheu: Ali Pajaziti

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024