Lajme
“Më 1991 serbët e formuan Zajednicën në Bosnje, më 1992 e shpallën pavarësinë dhe më 1995 u njoh ndërkombëtarisht” | Qëndrimi i frikshëm i opozitarit Kurti për rrezikun nga Zajednica
Demokracia
11:42 | 12 Nëntor 2023

Share:

Çdokush që do të dëgjojë ligjërimin dhjetëvjeçar të opozitarit, por në shumë raste edhe të kryeministrit Albin Kurti, me të drejtë mund të parashtrojë pyetjen se a është kaq e rrezikshme për Republikën e Kosovës, Zajednica, që dikur e kundërshtonte dhunshëm e tani po e pranon në trajtë edhe më të rrezikshme të njohur si ‘vetëmenaxhim’?

Deklarimet e Kurtit kundër Zajednicës janë të frikshme. Përshkrimet se çka është Zajednica dhe çfarë rreziku ka për Kosovën, Kurti i bënte nga Kuvendi i Kosovës, nga salla e gjyqit, nga klasa e ndonjë shkolle fillore të harruar apo edhe nga sheshet në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

KURTI: ZAJEDNICA E SHNDËRRON KOSOVËN NË BOSNJË TË DYTË

Gjatë argumentimit të tij kundër themelimit të Zajednicës, opozitari Kurti ka gjetur fotografinë më të shëmtuar të një shteti, për të treguar konkretisht se cili është rreziku me të cilin ballafaqohet Republika e Kosovës.

“Zajednica e Serbisë në Kosovë është e ngjashme për nga procesi dhe për nga rezultatet me Republikën Serbe në Bosnje”, deklaronte në jo pak raste lideri i Vetëvendosjes.

Më 20 dhjetor 2017, në fjalën e tij të mbajtur në seancën gjyqësore për shkak të protestave që tejkalonin kufizimet ligjore, Kurti kishte argumentuar se ai kishte protestuar për të kundërshtuar një projekt të rrezikshëm: Zajednicën.

“Marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, që do të ketë kompetenca të plota në fushën e zhvillimit ekonomik, të kujdesit social, të planifikimit urban e rural. Parashihej që ai Asociacion, ta ketë Presidentin e vet, ta ketë Bordin Ekzekutiv me shtatë anëtarë edhe ta ketë një Asamble të veten me tridhjetë anëtarë. Ai Asociacion, apo më mirë të themi Zajednicë, fitonte të drejta që të vendoste edhe marrëdhënie ndërkombëtare, me asociacione të ngjashme nëpër botë”, deklaronte Kurti para trupit gjykues, përcjell Demokracia.com.

Sipas tij, “po të instalohej Zajednica, marrëdhënia e Qeverisë së Kosovës me komunat me shumicë serbe do të bëhej e ndërmjetësuar me vetë Zajednicën. Një komune do të duhej t’i qasemi nëpërmjet Zajednicës dhe një komunë do të na drejtohej neve nëpërmjet Zajednicës”.

Po para trupit gjykues, Kurti tregonte rrjedhën që kishte ndjekur Zajednica në Bosnje, e cila në fund u kurorëzua si Republika Serbe. Ai mendonte se këtë linjë do të ndjekë edhe Zajednica e serbëve në Kosovë.

“Shembulli historik ishte i freskët, më datën 26 prill 1991, katërmbëdhjetë komuna me shumicë serbe në Bosnje formuan Asociacionin e tyre. Se vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë e formojnë Asociacionin e tyre. Më 9 janar të vitit 1992, ato shpallin pavarësinë. Më 28 shkurt të vitit 1992, fitojnë Kushtetutën. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995, në Dejton të Ohajos edhe njohjen ndërkombëtare, të asaj që sot njihet si Republika Serbe”, thoshte Kurti.

Sipas përshkrimeve të Kurtit, Zajednica është e frikshme, pasi Serbia po ndjekë modelin e Federatës Ruse për të krijuar shtete satelite.

“Ne asnjëherë s’kemi pasur dilema, në shekullin e XXI Serbia po përpiqej që ta bënte Serbinë e madhe, me shumë Serbi të vogla rrotull. Ky është imitimi i modelit rus, ku atje Federata Ruse ka shumë satelitë në fqinjësi, në formën e parashteteve vasale. Ngjashëm edhe në Kosovë, po na kërcënonte bosnjëzimi. Ne as nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër serbëve, por kemi qenë dhe jemi kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh, edhe si shtet, edhe si komb. Kjo është arsyeja themelore pse ne nuk kemi dashur të lejojmë normalizimin e asaj marrëveshje në institucionet e vendit”, deklaronte Kurti në sallën e gjyqit në Prishtinë, në vitin 2017.

Por, pavarësisht ligjërimit opozitar dhjetëvjeçar kundër Zajednicës, me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Ndërkaq, më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe ka shprehur gatishmëri para liderëve të shteteve të fuqishme të BE-së, që të njëjtin ta nënshkruajë. /Demokracia.com/

Kurti i jep “dritën jeshile” planit të emisarëve dhe draft-statutit të Asociacionit

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/

Të ngjashme