Lajme
Mbrohen në heshtje dy zyrtarët e Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion
Demokracia
14:30 | 08 Shtator 2023
Ilustrim

Share:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit janë mbrojtur në heshtje Ismet Haliti, i cili bashkë me Skender Canollin po akuzohen se në cilësi të personave zyrtar në Komunën e Prishtinës i kishin mundësuar H.V përfitim nga ndërtimet pa leje.

“Dua të mbrohem në heshtje. Qëndroj pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimet e mëhershme gjyqësore”, tha i akuzuari Haliti.

Po ashtu, të drejtën e tij ligjore për tu mbrojtur në heshtje e ka shfrytëzuar edhe i akuzuari Canolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga prokurorja e shtetit Fitore Sadikaj e cila tha se ndonëse kjo çështje është në rigjykim, nuk ka pasur ndryshim të gjendjes faktike nga hera e parë duke mbetur pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim nga prokurori i mëhershëm.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se aktakuza është ngritur në vitin 2017 për veprën penale të pretenduar se është kryer në vitin 2006 ose 2008 deri në vitin 2014, duke bërë shkelje pasi që sipas tij me ligj përcaktohet afati prekluziv se kur ngritët një aktakuzë një aktakuzë për ndonjë vepër të caktuar penale.

Po ashtu, avokati Krasniqi tha se ky trup gjykues duhet të konstatojë se këtu ka të bëjë edhe me parashkrimin e ndjekjes penale pasi që nga dy datat e mëhershme ajo e vitit 2006 dhe 2008 ka kaluar dyfishi i kohës për ndërmarrjen e ndjekjes penale.

Ai tha se me administrimin e provave materiale, procesverbaleve dhe raporteve të ndryshme ka qenë e qartë se është bërë ekzekutimi i aktvendimit disa herë.

“Me vet faktin se është bërë ekzekutimi i këtij aktvendimi qoftë edhe një herë atëherë merret se aktvendimi është ekzekutuar”, tha avokati Krasniqi.

Në fund, i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të merret aktgjykim lirues pasi që sipas tij, me asnjë provë të vetme të akuzuarit me veprimet e tyre nuk i kanë përmbushur elementet e veprës penale.

Tutje, mbrojtësja e të akuzuar Canolli, avokatja Ibadete Veliqi – Ajvazi ka mbetur pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me 6 shtator 2019, duke shtuar se aktakuza është e pa bazuar dhe me asnjë rrethanë e argumentuar.

E njëjta ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i vlerësoj të gjitha provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës e posaçërisht aktvendimin e datës 5 tetor 2006 për rrënimin e objektit pa leje i cili vendim është ekzekutuar në vitin 2008 duke i propozuar gjykatës që në mungesë të provave të mbrojturin e saj ta liroj nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale pritet të bëhet me 12 shtator 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 9 qershor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ismet Haliti dhe Skënder Canolli të cilët në vazhdimësi nga muaji qershor i vitit 2008 deri në muajin prill të vitit 2014, i pandehuri Ismet Haliti në cilësinë e personit zyrtar Shef i Sektorit të Ndërrimit në Komunën e Prishtinës, ndërsa i pandehuri Skënder Canolli në cilësinë e personit zyrtar – Ekzekutues – Përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk kanë vepruar në kuadër të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie pasurore Habib Vllasaliu, ashtu që nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës 09 nr.354.20069 t 6 tetorit 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje në pronën e Habib Vllasaliut edhe përkundër faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga Inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet sipas aktvendimit të 5 tetorit 2006 dhe se objekti duhet të rrënohet.

Tutje, sipas aktit akuzues të njëjtit edhe për kundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me ç’rast i kanë mundësuar përfitim Habib Vllasaliut nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.

Me këtë, Haliti dhe Canolli në bashkëveprim po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të ngjashme