Lajme
“Mbijetesa serbe” pretendon se Mbrojtja civile u shpërbë në vitin 2013
Demokracia
14:37 | 29 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” Aleksandar Arsenijeviq ka thënë sot se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste paraqet një “formë tjetër të presionit dhe shpalljen e arrestimeve të reja të serbëve në veriun e Kosovës”.

Arsenijeviq ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se “Mbrojtja Civile” “u shpërbë” në vitin 2013 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit dhe se e ashtuquajtura “Brigada e Veriut” “nuk ka ekzistuar kurrë”, transmeton Paparaci.

“Mbrojtja civile, e cila kishte të punësuar rreth 350 serbë, u shpërbë në vitin 2013 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit, kur të gjitha institucionet serbe nga veriu i Kosovës u integruan në sistemin e Kosovës. E ashtuquajtura “Brigada e Veriut” është emër për një organizatë që nuk ekziston, kështu që ky vendim i Qeverisë së Kosovës paraqet një formë tjetër të presionit dhe shpalljes së arrestimeve të reja të serbëve të pafajshëm në veri të Kosovës”, ka pretenduar Arsenijeviq.

Ai ka thënë se “nuk ekziston asnjë serb në veri të Kosovës që synon të ndryshojë ndonjë qeveri me mjete të armatosura”.

Ai ka theksuar se organet kosovare “çdo ditë bëjnë presion ndaj të gjithë qytetarëve të nacionalitetit serb”.

“Disa civilë të nacionalitetit shqiptar vizitojnë komunat në veri të Kosovës çdo ditë dhe pyesin për qytetarë të kombësisë serbe të cilët nuk kanë të bëjnë me asnjë aktivitet. Ata sjellin frikë nga arrestimi, kështu që shumë serbë detyrohen të shpërngulen”, ka pretenduar Arsenijeviq

Të ngjashme