Lajme
Masat ndaj Kosovës prekin takimet e niveleve të larta të ministrave, çfarë po u ndodh?
Demokracia
14:00 | 26 Gusht 2023

Share:

Që prej vendosjes së kryetarëve me njësi speciale në ndërtesat e katër komunat veriore – përkundër kërkesës së QUINT-it – qeveria kosovare, ditë e më shumë, e ka gjetur veten të izoluar ndërkombëtarisht.

Qysh pas 29 majit, kur kishin shpërthyer trazira para objektit komunal të Zveçanit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, teksa shprehej se “e keni shtëpinë në flakë” njoftonte edhe se sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Kosovës, pa u zhbërë tensionet vështirë se do të mund të kishte ndonjë takim të nivelit të lartë dyshtetëror.

“Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas”, ishte shprehur ai në një takim me gazetarë.

Se këto ndalesa ndaj qeverisë kosovare kishin nisur, nisi të dukej sheshazi, kur në një konferencë në Uashington për Ballkanin Perëndimor, pesë ministra tjerë rajonalë merrnin pjesë fizikisht ndërsa Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lajmërohej vetëm për “pjesëmarrje virtuale”.

Kështu ndodhi edhe sa i përket takimeve me Bashkimin Evropian.

Në sanksionet që pasuan pasi qeveria kosovare flaki tutje deklaratën e 3 qershorit të BE-së – ku artikulohej një kërkesë tre-pikëshe për shtensionim në veri – zyrtarët e lartë të shtetit nuk do të ftoheshin në takime të niveleve të larta si dhe do t’u suspendoheshin vizitat bilaterale.

Përjashtim do të përbënin takimet ose vizitat që përqendrohen në adresimin e krizës në veri si dhe ato që janë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Këto masa janë të përkohshme dhe krejtësisht të kthyeshme varësisht nga zhvillimet në terren dhe vendimet për shtensionim të situatës nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti”, deklaronte Komisioni Evropian.

I pari që publikisht do të deklarohej si “viktima e parë” e sanksioneve, ishte Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili përmes një videodresimi tregonte se e kishin kthyer mbrapsht nga një takim në Bruksel.

“Unë isha viktima e parë e masave që u morën nga BE-ja. Më duhet të them, ne ishim paraparë të niseshim në Bruksel të dielën, ishte qershor. Kishim plan të takoheshim të hënën, dhe duhej të niseshim të dielën”.

“Gjitha takimet u anuluan të premten pasdite. Zhgënjimi im ishte i madh, u desh të mbulonim të gjitha kostot si të biletave, hotelit në Bruksel e nuk shkuam fare atje”, ka thënë Rashiq, në një video që u publikua në platformën “X” nga Gerald Knaus, shkruan Nacionale.

Ndërkaq, edhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, i duket sheshazi një “lënie jashtë” agjende të takimeve nga ministrja franceze për çështje me Evropën, Laurence Bonne; dhe atë në Forumin e përvjetshëm Stragjik të Bled-it të Sllovenisë, ku Gërvalla do të merr pjesë.

Ministria e Jashtme e Francës përmes një komunikate njoftoi në hollësi për takimet e ministres me homologë të saj rajonal, ndërsa vetëm emri i Gërvallës nuk shënohet.

“Ajo gjithashtu do të mbajë takime me disa përfaqësues të shteteve të ndryshme që do të marrin pjesë në Forumin Strategjik: Bujar Osmani, Maqedoni e Veriut, Megi Fino, zëvendësministër i Shqipërisë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Elmedin Konakovic, ministër për Punë të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës, Mehmet Kemal Bozay, zëvendësministër i Turqisë për Punë të Jashtme, Mariya Gabriel, zëvendësministër i Bullgarisë për Punë të Jashtme, dhe Ivica Daçiq, ministër i Serbisë për Punë të Jashtme”, thuhet në komunikatën e publikuar.

Por, ku figuron emri i Gërvallës, është në një panel diskutimi me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe me Ministin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Të ngjashme