Lajme
Martin Berishajn ia “lanë” drejtësisë, por gjyqësorit i bëjnë presion për deputeten Jetmire Vrenezi
Demokracia
20:44 | 17 Maj 2022

Share:

Deputetë e këshilltarë të Lëvizjes Vetëvendosje i futën “hundët” sot në vendimet e drejtësisë, duke bërë presion me deklaratat e tyre, pas dënimit të deputetes Jetmire Vrenezi. 

Kur nuk duan të flasin e të japin llogari për përfshirjen në punë të dyshimta, siç është rasti i dyshimeve për shpëlarje tek ambasadori Martin Berishaj, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se nuk i komentojnë, duke u arsyetuar se janë çështje të drejtësisë.

As për akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, ata nuk po flasin me arsyetimin se është punë e drejtësisë, shkruan Demokracia.com.

Por, sot kur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, u dënua me tri vjet burg dhe 2 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të detyrës zyrtare, folën i madh e i vogël.

Nazlije Bala, këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pasi deputetja Vrenezi u shpall fajtore.

Sipas Balës, vendimi i gjykatës është “mbrojtje e uzurpatorëve dhe ndëshkim i atyre që mbrojtën interesin publik”.

“Deputetja dhe ish zyrtarja Jetmire Vrenezi u dënua me tri vite burg për shkak se ajo mbrojti pronën publike… aq ishin veprimet e saja. Dënime të tilla nuk kemi parë asnjëherë ndaj zyrtarëve të cilët për vite radhazi janë pasuruar kundërligjshëm dhe kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Vendimi i sotëm është në fakt mbrojtje e uzurpatorëve dhe ndëshkim i atyre që mbrojtën interesin publik”, ka shkruar Balaj.

Reagim skandaloz nga kabineti i Ministres së Drejtësisë pas dënimit të deputetes së VV-së: Gjykata mbrojti uzurpuesit

Dënimin e Vrenezit e kanë komentuar edhe kolegët e saj deputetë, Mimoza Kusari-Lila dhe Artan Abrashi.

Shefja e grupit parlamentar ka thënë se “për deklarim zyrtar i duhet konsultë, sepse është çështje e ndjeshme dhe serioze”.

Kurse, deputeti Artan Abrashi e ka përdorur një thënie të aktivistit afrikano-amerikan për të drejtat civile në SHBA, Martin Luther King.

“Padrejtësia diku është rrezik për drejtësinë kudo!”, ka shkruar Abrashi, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.

As ish-shefi i deputetes së VV-së, Jetmire Vrenezi, ish-kryetari Mytaher Haskuka s’është pajtuar me dënimin e shqiptuar për Vrenezin.

Ish-kryetari i Prizrenit ka shkruar se Kosova është vend i çudirave, pasi rrënimi i objekteve pa leje trajtohet si “keqpërdorim detyre”, për çka edhe është dënuar deputetja e VV-së.

“Nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre”. Kosova vend i çudirave. Vetingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka shkruar Haskuka.

Haskuka pas dënimit të dy ish vartësve të tij në Prizren: Kosova vend i çudirave, vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Prokuroria e Prizrenit i ka dalë në krah paligjshmërisë në rastin “Abi Çarshia”, pasi në seancën gjyqësore të së martës, deputetja e LVV-së, Jetmira Vrenezi, u dënua me 3 vjet burgim.

Deputeti Rrustemi ka thënë se Vrenezi nuk ka lejuar që paligjshmëria të vazhdonte, derisa ka qenë ish-udhëheqëse e sektorit të ndërtimtarisë në komunë.

“Deputetja Vrenezi si çdokush tjetër do të shfrytëzojë të drejtën e apelimit të këtij vendimi. Në anën tjetër ne e dimë që prej se ka qenë në drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prizrenit si arkitekte e zonja dhe e re ajo së bashku me kolegët e saj nuk kanë lejuar që paligjshmëria të vazhdonte dhe amnistoheshin grupet biznesore vetëm pse kanë qenë të fuqishëm financiarisht dhe me pushtet. Kësisoj, vendimi për prishjen e objektit të paligjshëm ka qenë i drejtë, parimor dhe në shërbim të interesit publik. Siç kemi deklaruar asokohe themi edhe tash, në shkelje nuk është deputetja Vrenezi e as kolegët e saj, por Prokuroria e Prizrenit që i doli në krah paligjshmërisë”, ka thënë Rrustemi.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i del në krah koleges që u dënua me tri vjet burgim

Jetmire Vrenezin e ka dënuar sot gjykata me tre vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Tani deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vrenezi u dënua për punën e saj në komunën e Prizrenit.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve I.Th. dhe J.V. për shkak se me datë 19 korrik 2019 dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit në cilësinë personave zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K. Prizren në atë mënyrë:

I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit, pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren,

E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit “Abi Çarshia” pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. ……. me datë 15.07.2019.

Kështu që të akuzuarit, me datë 19.07.2019, me pjesëmarrjen e tyre aktive, realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe atë nenin 6 dhe 11, par. 6 në kundërshtim me nenin 5,6 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/19, të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. A213/18 si dhe A-179/19, me të cilën janë anuluar aktvendimet të Drejtorisë së Inspektorateve Komunal i ndërtimtarisë në Prizren nr. ………….., nr. ……………, duke obliguar organet Komunale në Prizren të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi, andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç ‘rast gjatë rrënimit shkaktojnë dëm.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i GJYKON:

– Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve.

– Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve.

Të akuzuarit – E.M.-Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., LIROHEN NGA AKUZA, ngase nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dëmtuari “Abi” Sh.P.K. për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Kymete Kicaj, në pika të shkurtra ka arsyetuar dënimin e shqiptuar, duke sqaruar se në bazë të administrimit të provave, duke analizuar veç e veç secilën provë materiale, deklarimet e dëshmitarëve dhe mbrojtjen e të akuzuarve, Gjykata ka gjetur se të akuzuarit I.Th. (në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratave) dhe J.V., (në kuadër të zyrtares pranë Drejtorisë së Inspektorateve), duke vepruar me dashje direkte tejkalojnë autorizimet e tyre ligjore.

Bazuar në të gjitha provat, Gjykata ka vlerësuar se autoritet – të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjet e aplikueshme dhe udhëzimet administrative.

I dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil, pasi që trupi gjykues ekspertizës i ka falur besimin pjesërisht, vetëm sa i përket konstatimit të dëmit, por jo në lartësinë e tij në shumën prej 69,729.66 euro.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor, të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Demokracia.com/

Të ngjashme