Lajme
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i del në krah koleges që u dënua me tri vjet burgim
Demokracia
15:46 | 17 Maj 2022

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, (LVV) Adnan Rrustemi, ka thënë se Prokuroria e Prizrenit i ka dalë në krah paligjshmërisë në rastin “Abi Qarshia”, pasi në seancën gjyqësore të së martës, deputetja e LVV-së, Jetmira Vrenezi, u dënua me 3 vjet burgim.

Me 3 vjet burgim në këtë seancë është dënuar edhe Ilmi Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit në komunën e Prizrenit, aktualisht asamblist i LVV-së.

Vrenezi dhe Thaqi janë dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë dhënë pëlqimin për rrënimin e një aneksi të “Abi Qarshia”, ndonëse i dëmtuari kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të tij.

Deputeti Rrustemi ka thënë përmes një deklaratë për media, të martën, se Vrenezi nuk ka lejuar që paligjshmëria të vazhdonte, derisa ka qenë ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë në komunë.

“Deputetja Vrenezi si çdokush tjetër do të shfrytëzojë të drejtën e apelimit të këtij vendimi. Në anën tjetër ne e dimë që prej se ka qenë në drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prizrenit si arkitekte e zonja dhe e re ajo së bashku me kolegët e saj nuk kanë lejuar që paligjshmëria të vazhdonte dhe amnistoheshin grupet biznesore vetëm pse kanë qenë të fuqishëm financiarisht dhe me pushtet. Kësisoj, vendimi për prishjen e objektit të paligjshëm ka qenë i drejtë, parimor dhe në shërbim të interesit publik. Siç kemi deklaruar asokohe themi edhe tash, në shkelje nuk është deputetja Vrenezi e as kolegët e saj, por Prokuroria e Prizrenit që i doli në krah paligjshmërisë”, ka thënë Rrustemi.

Deputetja e LVV-së kishte kërkuar çekiç për ta rrënuar vetë objektin e “Abi Çarshisë”, e dëmtuan rreth 70 mijë euro

Të ngjashme