Lajme
Haskuka pas dënimit të dy ish vartësve të tij në Prizren: Kosova vend i çudirave, vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet
Demokracia
14:52 | 17 Maj 2022

Share:

Pas shpalljes fajtor për keqpërdorim të detyrës të dy ish-zyrtarëve të komunës së Prizrenit, ka reaguar ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Në një shkrim llogarinë e tij në Facebook, Haskuka ka thënë se nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë duhet të trajtohet si “keqpërdorim detyre”.

Tutje përmendi Vettingun, që sipas tij duhet t’i jepet prioritet.

“Vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, tha Haskuka.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë rrënuar aneks-objektin e “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë, aktualisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës janë dënuar me nga 3 vjet burgim dhe me nga 2.000 euro gjobë.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Të akuzuarit tjerë në këtë rast: Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

Deputetja e LVV-së kishte kërkuar çekiç për ta rrënuar vetë objektin e “Abi Çarshisë”, e dëmtuan rreth 70 mijë euro

Të ngjashme