Lajme
Lulzim Peci thotë se pushteti po e bën trend kontestimin e vendimeve të Kushtetueses
Demokracia
21:50 | 25 Mars 2023

Share:

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar pas akuzave të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimin për Ligjin për KPK-në.

Peci e ka komentuar situatën duke thënë se nuk mund të flitet për avancim të demokracisë në Kosovë, kur pushteti i konteston vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund te flasim per avancim te demokracise ne Kosove derisa pushteti i konteston vendimet e Gjykates Kushtetuese kur nuk ju pelqejne, gje qe tregon tendencen e hapur nga qeveria per “drejtesi selektive”. Tanime, qendrimet e tilla nuk jane raste te vecuara, por jane duke u shnderruar ne trend te qeverise,”- është shprehur ai.

Peci më tej ka shtuar se nëse vazhdohet me këtë logjikë, Kosova do të rrëshqasë nga demokracia liberale në atë elektorale.

“Me kete logjike Kosova eshte duke rreshqitur me hapa te sigurte nga demokracia liberale ne ate elektorale qe jane ne mode ne shume vende autokratike. Prandaj, mos na mani me tutje ligjerata per perparim te demokracise ne Kosove, se ato gjithnje e me shume po ju perngjajne fabulave!”- ka përfunduar ai.

Kujtojmë se pas shpalljes anti-kushtetues të Ligjit për KPK-në, Haxhiu ka folur ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar ‘absurde’ marrjen e këtij vendimi.

“Është absurde se si Kushtetuesja e gjeti si ndikim të politikës, që në KPK të jetë një anëtar nga Avokati i Popullit, derisa Komisioni i Venecias këtë e ka konsideruar në raport me standardet ndërkombëtare. Pse Gjykatës Kushteutese ju deshën 9 muaj për të nxjerrë këtë Aktgjykim. Pse na morën 9 muaj? Pse iu nevoitën kaq shumë kohë?” – ka thënë Haxhiu.

Të ngjashme