OpEd
Lufta e Tretë Botërore po afrohet me shpejtësi, dhe shumë pak njerëz janë të gatshëm të pranojnë shkaqet
Demokracia
23:37 | 02 Shkurt 2024

Share:

Shkruan: Daily Telegraph/

A jemi në pragun e një Lufte të Tretë Botërore? Në epokën e një përdorimi shumë të dendur të termit “apokalips”, është e lehtë të qeshësh me një pyetje të tillë. Tek e fundit, ne jemi aktualisht shumë vigjilentë se mos shfaqet sërish pandemia.

Po ashtu jemi të rrethuar çdo ditë nga parashikimet mbi një katastrofë mjedisore, dhe nga serialet e Netflix marrim një dorë të vazhdueshme adrenaline nga dramat distopike që shohim. Por e sigurt është se rreziku i një lufte globale nuk ka qenë aq i lartë që kur SHBA-ja ishte e përfshirë në një betejë ekzistenciale kundër Bashkimit Sovjetik.

Në mbarë botën, po dështojnë regjimet autoritare. Në një epokë stanjacioni ekonomik global, po bëhet më e dukshme paaftësia e tyre për të përmbushur premtimet për të ofruar vende pune, për të luftuar varfërinë dhe për të zgjeruar klasat e tyre të mesme.

Paranojak ndaj disidencës dhe zërave opozitarë, autokratët janë gjithnjë e më të motivuar për ta forcuar pushtetin e tyre duke u fokusuar te armiqtë e jashtëm, qoftë nëpërmjet luftërave rajonale ekspansioniste apo konflikteve ekzistenciale me një rrezik të lartë kundër Perëndimit.

Kriza që ka shpërthyer pas një sulmi me dron ndaj një baze amerikane pranë kufirit të Jordanisë me Sirinë, është një shembull shumë i qartë  i realitetit tonë të ri tejet të frikshëm. Megjithëse Irani ka mohuar çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në të, është e qartë se ai është shumë i implikuar në atë që ishte i fundit në një varg sulmesh të lidhura me Teheranin, dhe që synojnë ta largojnë SHBA-në nga Lindja e Mesme.

Duke pasur parasysh përgjigjen e pashmangshme të SHBA-së, lind pyetja: Pse Irani do të merrte pjesë në një aventurë kaq të pamatur? Por elementi që u shpëton shumicës së analistëve të Iranit, si një regjim i çmendur dhe i lig fundamentalist, është se ai është gjithashtu edhe një regjim i dështuar.

Rënia e Iranit është ndër historitë më të jashtëzakonshme të kohëve moderne. Dikur ishte një nga qytetërimet më të mëdha të lashtësisë, me një pozicion strategjik në qendër të tregtisë globale, dhe kryesonte disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë.

Por një teokraci e fosilizuar dhe e paaftë, e ka reduktuar atë në një karikaturë të një fuqie rajonale. Infrastruktura e saj është e krahasueshme me atë të një shteti të shkatërruar nga lufta, gjysma e popullsisë jeton në varfëri. Ndërsa bëhet e pamundur të fshihen masakrat e mullahëve dhe teksa po rriten lëvizjet e protestës, regjimi është përpjekur të shmangë kolapsin duke shtuar ambiciet e tij të kahershme për t’u vendosur si një hegjemon rajonal, duke krijuar një “gjysmëhënë shiite”, e cila mund të funksionojë edhe si një mburojë mbrojtëse sektare kundër të pafeve sunitë dhe perëndimorëve, dhe si një qendër imperialiste.

Natyrisht shndërrimi në një fuqi bërthamore është vendimtar për një vizion të tillë. Në fakt, rreziku real mund të mos jetë se Irani po bëhet vërtet më i fuqishëm, por që liderët e tij e dinë se koha nuk është në anën e tyre.

Teherani është ndoshta vetëm disa vite larg ndërtimit të armëve bërthamore për raketat e tij balistike. Por ndërsa situata ekonomike po rëndohet, regjimi mund të dyshojë se për të do të bëhet më e vështirë që të justifikojë koston e programit bërthamor për qytetarët e tij të shqetësuar.

Dhe ja ku kemi një model, të cilin historianët e kanë identifikuar përgjatë historisë. Ajo që na mësojnë luftërat e mëparshme botërore, është se ato nuk nisen nga vendet e sigurta dhe të suksesshme, por ato kaotike dhe skizofrenike që vuajnë si nga iluzionet madhështore ashtu edhe nga frika për të ardhmen. Sot ky paradoks i agresorit të brishtë, po shfaqet jo vetëm në Iran, por në një masë edhe më të frikshme në Rusi.

Regjimi i Putinit ka dështuar në mënyrë spektakolare të përfitojë nga avantazhet e brendshme të Rusisë – sidomos për shkak të burimeve të mëdha natyrore – për të rritur standardet e jetesës dhe për të krijuar prosperitet. Pjesa më e madhe e popullsisë ruse jeton në prag të varfërisë dhe vendi është mbërthyer në një “kurth nafte”, që zakonisht u ndodh vendeve të botës së tretë.

Grabitja shtetërore, monopolizimi, nepotizmi dhe një mori gënjeshtrash, kanë sjellë shpërdorimin e përfitimeve nga reformat e tregut të viteve 1990. Në kundërpërgjigje, Putin po përpiqet që të ndalë rënien ekonomike dhe demografike, dhe të shmangë dështimet e tij në vend përmes pushtimit të Ukrainës.

Ndërsa e etiketojnë me nofkën “Ariu”, Rusia post-sovjetike është në fakt më e ngjashme me një kandil deti që vazhdon të lëshojë toksina shkatërruese në ujë. Qelizat e të cilit sulmojnë në mënyrë të pakontrolluar edhe pas prerjes së kokës.

Pra, ajo që mund ta bëjë Rusinë edhe më të rrezikshme është se po ngushtohet hapësira e saj për “rimëkëmbje” siç e parashikon Putin. Nëse vazhdojnë tendencat aktuale, atëherë Rusia do të jetë një “cironkë gjeopolitike” brenda vetëm disa dekadave, inferiore në fuqi madje edhe ndaj fuqive në rritje të Afrikës siç është Nigeria.

Madje dikush mund të spekulojë nëse forcimi i vazhdueshëm i Kinës, mund të sjellë fillimin e një luftë civilizuese me Perëndimin. Ka dështuar strategjia e dikurshme e Xi Jinping, për të ruajtur ritme të jashtëzakonshme të rritjes ekonomike, kryesisht nëpërmjet një investimi të krijuar nga shteti.

Ai ka reaguar duke e zhvendosur Kinën drejt një modeli ushtarako-autokratik, duke nisur nga ndjekja e ëndrrës kineze për një vizion të Kinës së Madhe. Strategjia e tij e re e “unionit ushtarako-civil”, që synon ta bëjë Kinën fuqinë ushtarake më të përparuar në botë në aspektin teknologjik, e pasqyron qartë këtë synim.

Dhe nuk është i paimagjinueshëm as koncepti se Kina mund të rrisë rreziqet e një lufte të re botërore duke e pushtuar Tajvanin. Xi e di se mund të ketë pak kohë në dispozicion për të vepruar. Ndërsa besohet se deri në vitin 2027, Pekini do të ketë epërsi ushtarake ndaj SHBA-së në Ngushticën e Tajvanit, duke pasur parasysh popullsinë e tij në tkurrje dhe ekonominë në ngadalësim të vazhdueshëm, ka shumë pikëpyetje se sa mund të zgjasë kjo.

Qëndrimi konvencional është se nëse do të shpërthente Lufta e Tretë Botërore, kjo do të ndodhte rastësisht. Por ne duhet të kemi parasysh mundësinë që të torturuar nga perspektiva e vdekjes në rastin e rënies nga pushteti, udhëheqësit autoritarë do të jenë të gatshëm të ndjekin strategji mbijetese, të cilat ndonëse për ne janë të paarsyeshme, duken shumë të arsyeshme për ta.

Ato mund të përbëjnë një kërcënim për mbijetesën e njeriut në të njëjtin nivel, për shembull me laboratorët e patogjenëve pa kushtet e duhura të sigurisë apo me evolucionin e pakontrolluar të Inteligjencës Artificiale. Rreziku shtohet në një epokë kur diktatorët mashtrues mendojnë vërtet se mund të fitojnë.

Teksa po kalon tek doktrina bërthamore “godit i pari”, Rusia është gjithnjë e më e bindur se ka një avantazh në rastin e një lufte bërthamore. Regjimi i Iranit, me një brez që ka jetuar gjithë kohës nën izolim ndërkombëtar, mund të vuajë nga “arroganca e mbijetesës”.

Në rast se dëshiron që të frenojë kërcënimin autoritar, Perëndimit duhet të përdorë atë që është një cilësi që është e rrezikshme më vete: paparashikueshmëria e tij, që është aq shumë e natyrshme në një demokraci.

Nga normalizimi i marrëdhënieve me Kinën në vitet 1970, që çoroditi Bashkimin Sovjetik, tek përgjigja çuditërisht e fuqishme ndaj pushtimit të Ukrainës, Perëndimi nxit frikë tek armiqtë e tij, pasi ata kurrë nuk mund ta dinë plotësisht se çfarë do të bëjë më pas. Atij mund t’i duhet të angazhohet sërish me të gjitha fuqitë për të ruajtur epërsinë e tij.

Përshtati: Gazeta Si

Të ngjashme