Sport
Llumnica: Lëvizjet e shpeshta nëpër skuadra bën që klubet të humbasin “besimin” ndaj disa trajnerëve vendorë
Demokracia
17:20 | 09 Maj 2022

Share:

Me titullin kampion të Ballkanit me Ilir Dajën shef të shtabit teknik, bëhen rreth katër vite që trajnerët e Kosovës nuk arrijnë të “kurorëzojnë” titullin kampion, përkundër se shumë prej tyre ishin afër viteve paraprake.

Bekim Isufi ishte trajneri i fundit kosovar që ngriti lart trofeun. Isufi u shpall kampion i Kosovës në edicionin 2017/18 kur drejtoi Dritën.

Vetëm një vit më vonë, nisi “epoka” e trajnerëve të huaj që morën drejtimin e skuadrave kosovare dhe në fund ia dolën të arrijnë suksesin. Zekirija Ramadani në edicionin 2018/19 fitoi titullin me Feronikelin.

Drita fitoi kampionatin edhe në sezonin 2019/20, veçse atëherë me trajnerin, Ardian Nuhiu, që edhe sot e ka “timonin” e ekipit gjilanas. Zekirija Ramadani u rikthye në Superligën e Kosovës një vit për vonë për t’ia fituar Prishtinës titullin kampion që i mungoi për disa vite në kabinetin e trofeve.

Ilir Daja ua vazhdon “agjerimin” trajnerëve të Kosovës, afër gjysmë dekade pa “shijuar” titullin

Analisti dhe njohësi i mirë i futbollit të Kosovës, Ardian Llumnica për Demokracia.com ka vlerësuar këtë situatë.

Llumnica tregoi edhe arsyen e cila sipas tij ka bërë që drejtuesit e klubeve të humbin “besimin” te trajnerët vendorë.

“Lëvizjet e shpeshta nëpër klube, çdo gjashtë muaj, ka bërë që klubet që janë pretendente për titull ta humbin “besimin” për disa trajner kosovar. E kjo dukuri po rritet e po fuqizohet ende sepse disa trajner shqiptar nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria tashmë po i radhitin sukseset në Superligën tonë”, tha fillimisht Llumnica të hënën për Demokracia.com.

Llumnica ka bërë edhe një krahasim mes trajnerëve nga Kosova dhe atyre që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Arsyjet janë të shumta. Ju jeni dëshmitar që s’kemi dëgjuar ndonjë trajner nga Shqipëria apo Maqedonia e Veriut duke folur për karrierën e tyre futbollistike, sepse ata ju kanë përkushtuar zejës së trajnerit e cila kërkon shumë punë, çdo ditë reform, e çdo ditë mësime të reja. Ne ende jemi në atë nivel debati, nuk po reformohemi në hap me metodologjinë e kohës në zejën e trajnerit edhe pse tashmë ka kushte për punë dhe kërkesat e secilit trajner realizohen nga padronet e klubeve”, theksoi për fund Llumnica./Demokracia.com/

Të ngjashme