Lajme
Libia kërkon ndihmë për zonat e goditura nga përmbytjet
Demokracia
22:52 | 11 Shtator 2023

Share:

Autoriteti më i lartë i Libisë u ka bërë thirrje vendeve mike dhe grupeve ndërkombëtare të ndihmës që të ofrojnë ndihmë për zonat e goditura nga përmbytjet në rajonin lindor të vendit.

“Ne jemi të sigurt se solidariteti ndërkombëtar do të ketë efekt pozitiv në rindërtimin e zonës dhe rikuperimin e saj nga një fatkeqësi e tillë natyrore”, thuhet në një deklaratë nga Këshilli Presidencial i Libisë.

Në deklaratë gjithashtu u bëhet thirrje qytetarëve libianë që të respektojnë “udhëzimet dhe paralajmërimet e sigurisë” të lëshuara nga autoritetet përkatëse për të tejkaluar krizën vdekjeprurëse.

Autoritetet me bazë në Libinë lindore vlerësuan se qindra persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë u zhdukën pasi përmbytjet goditën rajonin.

Siç raporotn agjencia libiane e lajmeve LANA, kreu i qeverisë së emëruar nga parlamenti, Ossama Hamad, tha se mijëra të tjerë besohet se janë të zhdukur.

Hamad gjithashtu tha se blloqe të tëra banimi u “fshinë nga dheu” pasi ato u përfshinë nga përmbytjet në Derna.

Më herët, kreu i qeverisë së unitetit me bazë në Tripoli, Abdul Hamid Dbeibeh, shpalli të gjitha zonat e ekspozuara ndaj stuhisë dhe përmbytjeve si “zona fatkeqësie”.

Dbeibeh gjithashtu shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse që shkatërruan vendin e Afrikës Veriore.

Dje, stuhia ‘Daniel’ përfshiu disa zona në Libinë lindore, më së shumti qytetet Banghazi, Bayda dhe Al Marj, si dhe qytetet Soussa dhe Derna.

Të ngjashme