Sport
Latifi tregon ndeshjen më emocionuese në karrierë, thotë se derbi i mungon shumë
Demokracia
16:34 | 13 Shtator 2022

Share:

Drita dhe Gjilani janë para duelit që përcakton se kujt i takon “shtafeta” e qytetit dhe Anamoravës në përgjithësi.

Të mërkurën me fillim nga ora 15:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, pa praninë e tifozëve për shkak të sigurisë, Drita dhe Gjilani sfidohen në derbin numër 41 në histori.

Ish-kapiteni dhe ikona e Dritës, Artan Latifi ka rrëfyer emocionet, përjetimet e shumëçka tjetër për këtë derbi.

Ish-portieri që dha shumë për “bardhekaltrit”, Artan Latifi, ka vlerësuar lart ndeshjen mes Dritës dhe Gjilanit, duke kritikuar pjesën infrastrukturore të stadiumit të qytetit për të cilën tha se është ndër faktorët që po zbeh këtë përballje.

“Ky derbi jo vetëm për qytetarët e Gjilanit, por të gjithë Kosovës ka rëndësi shumë të madhe, sepse jo vetëm se bëhet fjalë për një derbi mes dy ekipeve, por edhe në mes të dy shikueshmërive se kush po e sundon qytetin. Fatkeqësisht ky derbi po zbehet dita ditës nga shumë faktor. Duke u nisur nga fusha që nuk po i plotëson kushtet as minimale për të zhvilluar këtë derbi. Paramendoni se tash thuhet se derbi të luhet pa shikues. Duke ditur se ky derbi në qoftë se është kaq i madh është pikërisht nga “Intelektualët” dhe “Skifterat” të cilët e kanë bërë këtë derbi të duket aq i zjarrtë”, ka thënë Latifi të martën për Demokracia.com.

Përjetimet e derbit, rivaliteti dhe ndeshja më emocionuese – rrëfimet e dy ikonave të Dritës dhe Gjilanit

Ish-“gardiani” më tej ka rrëfyer ndeshjen më emocionale të cilën e ka përjetuar në karrierën e tij në lidhje me këtë derbi.

“Unë gjithmonë e kam cekur që ndeshja më emocionale ka qenë pas luftës në turnirin për nder të çlirimit të qytetit tonë, ku në atë ndeshje kam debutuar si 15-vjeçar në klubin tonë, FC Drita, dhe në atë ndeshje kam qenë lojtari i turnirit, sepse në penallti fituam ndeshjen dhe isha protagonist kryesor duke e pritur penalltinë vendimtare. Ajo ka qenë ndeshje ku më së shumti kam pasur emocione”, shtoi ai.

Se sa i mungon të jetë prezent në këtë ballafaqim, e tregon vetë Latifi. Ai nuk e la pa përmendur edhe dëshirën që Drita ta fiton derbin e të mërkurës.

“Derbi më mungon shumë. Është e papërshkrueshme. Jetoj me ato momente ku kam pasur fatin të jem prezent në 70 për qind të derbive që janë luajtur deri më sot dhe është normale ta ndjej mungesën e derbit sepse kënaqësinë që të jep ky derbi nuk mundesh me gjet askund. Uroj që të jetë një ndeshje shumë e mirë dhe sigurisht që dëshira ime është që Drita ta fiton këtë derbi”, deklaroi ish-portieri gjilanas, Artan Latifi./Demokracia.com/

Të ngjashme