Sport
Përjetimet e derbit, rivaliteti dhe ndeshja më emocionuese – rrëfimet e dy ikonave të Dritës dhe Gjilanit
Demokracia
16:10 | 13 Shtator 2022

Share:

Më pak se 24 orë kanë mbetur deri në fillimin e derbit më të madh të futbollit të Kosovës, që nis dhe mbaron shumë kohë pas fishkëllimës së gjyqtarit. Drita dhe Gjilani janë para duelit që përcakton se kujt i takon “shtafeta” e qytetit dhe Anamoravës në përgjithësi. Të mërkurën me fillim nga ora 15:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, pa praninë e tifozëve për shkak të sigurisë, Drita dhe Gjilani sfidohen në derbin numër 41 në histori.

Autor: Amir RAMA

Rivaliteti, dashuria për klubin e gjithçka tjetër që lidhet me këtë derbi është trashëguar ndër vite në shumicën dërmuese të familjeve në Gjilan. Këtë më së miri dinë ta tregojnë ish-futbollistët dhe protagonistët që kanë dhënë shumë në fushë dhe jashtë saj për këtë sfidë.

Artan Latifi dhe Ylber Kastrati janë dy nga ikonat e klubeve që kanë regjistruar shumë derbi gjilanas në karrierën e tyre, për të cilat kanë rrëfyer në një intervistë për Demokracia.com para derbit të mërkurës.

Ish-portieri që dha shumë për “bardhekaltrit”, Artan Latifi, ka vlerësuar lart ndeshjen mes Dritës dhe Gjilanit, duke kritikuar pjesën infrastrukturore të stadiumit të qytetit për të cilën tha se është ndër faktorët që po zbeh këtë përballje.

Ky derbi jo vetëm për qytetarët e Gjilanit, por të gjithë Kosovës ka rëndësi shumë të madhe, sepse jo vetëm se bëhet fjalë për një derbi mes dy ekipeve, por edhe në mes të dy shikueshmërive se kush po e sundon qytetin. Fatkeqësisht ky derbi po zbehet dita ditës nga shumë faktor. Duke u nisur nga fusha që nuk po i plotëson kushtet as minimale për të zhvilluar këtë derbi. Paramendoni se tash thuhet se derbi të luhet pa shikues. Duke ditur se ky derbi në qoftë se është kaq i madh është pikërisht nga “Intelektualët” dhe “Skifterat” të cilët e kanë bërë këtë derbi të duket aq i zjarrtë”, ka thënë Latifi të martën për Demokracia.com.

Ish-“gardiani” më tej ka rrëfyer ndeshjen më emocionale të cilën e ka përjetuar në karrierën e tij në lidhje me këtë derbi.

Unë gjithmonë e kam cekur që ndeshja më emocionale ka qenë pas luftës në turnirin për nder të çlirimit të qytetit tonë, ku në atë ndeshje kam debutuar si 15-vjeçar në klubin tonë, FC Drita, dhe në atë ndeshje kam qenë lojtari i turnirit, sepse në penallti fituam ndeshjen dhe isha protagonist kryesor duke e pritur penalltinë vendimtare. Ajo ka qenë ndeshje ku më së shumti kam pasur emocione”, shtoi ai.

Se sa i mungon të jetë prezent në këtë ballafaqim, e tregon vetë Latifi. Ai nuk e la pa përmendur edhe dëshirën që Drita ta fiton derbin e të mërkurës.

Derbi më mungon shumë. Është e papërshkrueshme. Jetoj me ato momente ku kam pasur fatin të jem prezent në 70 për qind të derbive që janë luajtur deri më sot dhe është normale ta ndjej mungesën e derbit sepse kënaqësinë që të jep ky derbi nuk mundesh me gjet askund. Uroj që të jetë një ndeshje shumë e mirë dhe sigurisht që dëshira ime është që Drita ta fiton këtë derbi”, deklaroi ish-portieri gjilanas, Artan Latifi.

Përballjet me Artan Latifin i kishte të shumta edhe Ylber Kastrati, mbrojtësi që u rrit dhe u pensionua me ngjyrat “kuqebardhë” të Gjilanit, ashtu si dikur rivali i tij në portë te Drita.

Ndjenjat më të veçanta që ka përjetuar në jetë, Kastrati thotë se i ka përjetuar në ndeshjen kundër Dritës.

Padyshim ndër ndjenjat më të veçanta që kam përjetuar në jetë janë emocionet e derbit. Prap do të vazhdoj t’i shijojë, mirëpo nga ky pozicion ndjenjat janë më të sikletshme dhe jam më gjykues. Është një ndjenjë e veçantë që i dhuron qytetit në përgjithësi. Era e derbit fillon të ndjehet shumë javë më parë para lojës. Debatet, pritshmëritë, analizat e ndryshme. E mira e derbit është se janë dy arena që i mundësojnë të gjithëve të jenë pjesëmarrës në rivalitet. Njëra është fusha që i takon lojtarëve dhe tjetra tribuna qe i takojnë tifozerive, aty ku vërtet është spektakli dhe shprehet dashuria sportive”, tha Ylber Kastrati në rrëfimin e tij për Demokracia.com.

Një nga momentet që Kastrati nuk e harron kurrë është goli i minutës së 97-të para disa vitesh, për të cilën grupi i tifozëve “Skifterat” duke thumbuar rivalët, e kishin mbushur qytetin me një mbishkrim.

Për mua normalisht që vend të veçant kanë “Skifterat” sepse unë jam njëri nga ata. Jam falënderues për gjithçka që kanë bërë për mua e sidomos me mbishkrimin mbas golit (kundër Dritës para disa vitesh në minutën e 97-të) ku ende ka shkrime në murët e qytetit: “Je e bukur si goli i Ylber Kastratit në minutën e 97-të”, theksoi Kastrati, duke u shprehur optimist se Gjilani ka forcë për ta fituar derbin dhe ta vazhdojë ecurinë pozitive.

Në nivelin e futbollit kosovar besoj është ndjenja më e fuqishme që mund ta përjetojë një futbollist. Janë nga ato ndeshjet të cilat çdo futbollist jeton për t’i përjetuar. Shpresoj dhe besoj se Gjilani ka grup të mirë të futbollistëve dhe si gjithmonë me motivin që dinë të japin “Skifterat” në mënyrat unike që i bëjnë ata. Besoj që Gjilani do të këtë forcë për të triumfuar dhe për të vazhduar ecurinë pozitive”, nënvizoi për fund ish-mbrojtësi me shumë përvojë i Gjilanit.

Artan Latifi karrierën e nisi nga grupmoshat e reja te Drita për t’u pensionuar në vitin 2017 në po të njëjtin klub.

Ndërkohë, Ylber Kastrati karrierës së tij i dha fund pikërisht në derbin kundër Dritës më 5 maj të këtij viti. Atij iu bë edhe “kordoni i nderit” nga futbollistët e dy ekipeve./Demokracia.com/

Të ngjashme