Lajme
Lajçak: Nëse s’ka dialog, eskalimi mund të përsëritet – BE dhe NATO po mbledhin faktet për Banjskën
Demokracia
12:54 | 21 Tetor 2023

Share:

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se ekziston një plan për rrugën përpara që është diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe që do të diskutohet të shtunën pasdite edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ndryshuar shumë gjëra dhe se ky rast duhet të hetohet mirë, shkruan Paparaci.com.

“Ne gjithmonë kemi plan. Ne kemi një plan, ne diskutuam planet tona me kryeministrin Kurti dhe do t’i diskutojmë me presidentin Vuçiq sot më vonë. Kështu që ju më kuptoni se nuk do të futem në detaje në këtë moment. Së dyti, nuk ka alternativë për dialogun sepse dialogu sjell normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Sulmet në Banjskë më 24 shtator kanë ndryshuar shumë gjëra dhe unë mendoj se isha shumë i qartë se duhet të jenë mirë të hetuara, duhet të sjellën konkluzione dhe përgjegjësit duhet të përballen me pasoja.”, tha ai.

Më tutje, ai ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë, përndryshe rastet si ai i Banjskës mund të përsëriten.

“Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë dhe është më e rëndësishme se kurrë sepse nëse nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të eskalimit dhe kjo nuk është çfarë duam dhe sigurisht që as ju nuk doni dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu.”, tha ai.

I pyetur nëse do të ketë hetim lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, ai tha se BE-ja dhe NATO po mbledhin fakte lidhur me situatën.

“Procesi është duke vazhduar, BE-ja, NATO, janë shumë të zënë duke u marrë me faktet dhe mendoj se koha do të vijë shpejt që ju do të informoheni për këtë.”, tha Lajçak.

Të ngjashme