Lajme
Lajçak insiston: Këtë vit të fillojë zbatimi i marrëveshjes, ndryshe humbim shumë
Demokracia
17:45 | 15 Shtator 2023

Share:

“Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë këtë vit”, ka thënë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa ka shtuar se “përndryshe mund të humbasin disa vite përpjekje”.

Këto komente ai i bëri të premten gjatë një takimi me gazetarë, një ditë pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE.

Negociatat e së enjtes në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i përshkroi si “të vështira”.

Top-diplomati sllovak kujtoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve arriti një “pikë kthese” në momentin që shtetet kishin nënshkruar Marrëveshjen Bazë, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

“Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar që gjashtë muaj”, pohoi, derisa shtoi se “të dyja palët kanë një shkallë të madhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës”.

“Ata thonë më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, i përshkroi ai qëndrimet e palëve, transmeton agjencia sllovake e lajmeve “TASR”..

Mirëpo, sipas tij, “nuk funksion kështu” dhe “kjo është arsyeja pse BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të vazhdojnë paralelisht”.

“Për shembull, se Prishtina do të fillojë të negociojë garancitë për serbët në Veri të Kosovës dhe se Serbia gradualisht do të fillojë të përmbushë obligimet e saj”.

Sipas Lajçak, propozimi i BE-së është “transparent dhe i matshëm”.

“Ai mund të ndalet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas ndërmjetësimit të takimit në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, tha se ishte kreu i ekzekutivit kosovar ai që e refuzoi propozimin e BE-së.

Duke folur për refuzimin e Kurtit, Lajçak theksoi se ai “këmbëngul për një dokument që de facto fillon me atë që ai do ta shtyjë këtë agjendë në plan të dytë”.

Ndërmjetësi Lajçak është i bindur se marrëveshja e Ohrit, e dakorduar më 18 mars, “është dokumenti më i mirë”.

“Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në pluhur”.

Në një situatë tillë refuzimi, top-diplomati sllovak deklaroi se “ne presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe ndoshta më shumë dhunë në Veri të Kosovës”.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqit nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiqi e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Të ngjashme