Intervista
Kusari – Lila flet sërish për sulmin terrorist, por nuk e përmend emrin e terroristit Milan Radojçiq, me të cilin koordinonte punët e Vetëvendosjes në Kuvend
Demokracia
10:09 | 21 Tetor 2023

Share:

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se s’mund të ketë dialog pa u ofruar garanci për sigurinë e Kosovës dhe sanksione ndaj Serbisë. Në ditën kur do të vijnë në Kosovë, emisarët evropianë dhe amerikanë, Kusari-Lila, përmend nevojën e barazisë në dialog dhe kërkon që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese, ndërsa Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, thotë se pa pasur një epilog për ndëshkimin e Serbisë dhe garancive për mospërsëritje të ngjarjeve të 24 shtatorit, është e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet për temat e kaluara.

“24 shtatori e shpërfaqi Serbinë me të gjitha pretendimet për sulm të armatosur ndaj Kosovës, për cenim të sovranitetit dhe integritetit tonë. Gjithashtu edhe për destruktivitetin e vazhdueshëm paralel që ata kanë zhvilluar në kundërshti me vet frymën e dialogut dhe synimin e marrëveshjeve të arritura. Prandaj pa pasur një epilog në kuptimin e sanksionimit dhe të vlerësimit real të ndikimit të Serbisë do të jetë e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet me temat ku ishin… E para dhe më e rëndësishme në këtë fazë është siguria, garancia për siguri. Gjithashtu edhe garancia për mos përsëritjen e ngjarjeve të 24 shtatorit dhe e dyta pastaj është procesi afatgjatë. Në afatshkurtër dhe i menjëhershëm duhet të jetë përkushtimi për mossulmim dhe paqe, pasi veprimet pas 24 shtatorit nuk kanë treguar një seriozitet nga ana e Serbisë në raport me ngjarjet dhe situatën të cilët ata dukshëm dhe të faktuar e kanë mbështetur deri në rangun më të lartë shtetëror… Duhet doemos që të shihet qartë se duhet të merret përgjegjësia dhe duhet vendosur barazia ndërmjet palëve, Kosovës duhet t’i hiqen masat dhe Serbia duhet të mbajtur përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit”, thotë Kusari-Lila.

Përkitazi me këtë, ajo thekson se sulmi terrorist i 24 shtatorit, ka dëshmuar se Serbia është palë bllokuese në dialog.

Ajo kërkon që Bashkimi Evropian t’i largon masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi sipas saj, atyre iu ka humbur kuptimi.

Derisa edhe mirëpret rezolutën e Parlamentit Evropian, ku sulmi i 24 shtatorit, kualifikohet si terrorist dhe kërkohet nga institucionet të tjera të BE-së, të vendosin masa ndaj Serbisë si përgjegjëse për sulmin.

Në anën tjetër, shefja e deputetëve të LVV-së, deklaron se zgjedhjet në katër komunat verore, mund të organizohen vetëm përmes peticionit që mundëson largimin e kryetarëve aktual.

Në lidhje me kërcënimet për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën, Kusari-Lila, thotë se e njëjta nuk mund të ndodh, pavarësisht deklaratave që mund të bëhen në lloj presioni për vendin.

Sa i përket punës në Kuvendin e Kosovës, shefja e deputetëve të mazhorancës paralajmëron se do të ketë diskutime me partitë opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare./KosovaPress/

Të ngjashme