Lajme
Kurti u kërkonte të tjerëve ta lënë të qetë BQK-në, por vetë e çoi në Bruksel
Demokracia
20:01 | 27 Shkurt 2024

Share:

“Vendimet e BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismaili që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”.

Ky ishte mesazhi i ashpër i kryeministrit Albin Kurti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), të cilin ua dërgoi më 31 janar 2024, pak kohë pasi kërkuan që të shtyhej për një kohë të caktuar zbatimi i rregullores së BQK-së, në të cilën rregullohet edhe çështja e përdorimit të “Dinarit” serb në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Por, Kurti që u kërkonte të tjerëve ta lënë të qetë BQK-në, nuk e la vetë të qetë duke e dërguar për të negociuar vendimin për dinarin në Brukselin e zhurmshëm.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimet e zhvilluar sot në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkovic dhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës të kryesuara nga guvernatori Ahmet Ismaili.

Lajçak ka thënë se mirëpret përkushtimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së, por sipas tij, nevojiten takime shtesë dhe dinari po bëhet çështje serioze e dialogut Kosovë-Serbi.

Emisari sllovak ka thënë se takimi i sotëm ka qenë një hap i parë i rëndësishëm, megjithatë ai thotë se shumë çështje politike mbesin ende pa përgjigje.

“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak, përcjell Demokracia.com.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, s’ka udhëtuar fare drejt Brukselit.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për takimin në Bruksel, ku thotë se me sugjerim të BE-së kanë takuar palën serbe.

Në komunikatë thuhet se nuk është vënë në diskutim autoriteti kushtetues dhe ligjor i këtij institucioni nga Bashkimi Evropian, porse janë ngritur brengat për ndikimin e mundshëm te qytetarët serbë.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”.

BQK thotë se kanë elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë “për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit më të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”.

“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

“Duhet ta lëmë të qetë BQK-në” | Kurti me mesazh të ashpër për SHBA dhe BE

Të ngjashme