Intervista
“Kurti të bëjë një hap prapa, por ta ketë një mundësi për ta shpëtuar fytyrën”, intervistë me Dimitar Bechev, ligjërues në Oksford
Demokracia
08:11 | 02 Mars 2024

Share:

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe tranksaksione financiare në territorin e Kosovës, për ligjëruesin në Universitetin e Oksfordit, është rrezikimi i radhës që po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Veriun e Kosovës, i cili mund të nxit një përgjigje të përshkallëzuar të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në vlerësimin e tij kjo lojë e Kurtit, të cilën e ka bërë shpesh në Veri, është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar me tonet më të ashpra, meqë ai beson se “krizat e përsëritura e ndërlikojnë përpjekjen për të arritur një zgjidhje”.

“Në vend që ta shtyjnë Serbinë të njohë de facto Kosovën në këmbim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, BE-ja dhe SHBA-ja janë të zënë me zgjidhjen e çështjeve të reja që krijojnë Kurti dhe Vuçiç”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post, anëtari i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, Bechev.

Në këtë situatë të komplikuar, Bechev, sugjeron që Qeveria e Kosovës të stepet prapa me rregulloren, por të paktën duke kërkuar një mundësi “për ta shpëtuar fytyrën”.

I pyetur për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, Bechev, ngre shqetësimin se një situatë e tillë është lehtë e përsëritshme, marrë parasysh faktin se si Kurti ashtu edhe Vuçiç, po ndjekin politika të rrezikshme që dërgojnë në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë së përgjithshme.

“Kam frikë se mund të ndodhë përsëri. Të dyja palët po luajnë lojën e konfrontimit. Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, veçanërisht nëse Vuçiç nuk arrin të kontrollojë plotësisht mafiozët lokalë serbë si Radojiçiç”, thekson ai.

Veriu i Kosovës, beson Bechev, një njohës i mirë i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, po vazhdon të jetë një burim i problemeve, për faktin se liderët nga Kosova e Serbia, po e përdorin këtë pjesë për të fituar pikë kundër njëri-tjetrit.

Intervista e plotë e Dimitar Bechev për Albanian Post

Albanian Post: Banka Qendrore e Kosovës së fundmi nxori një rregullore të re, ku mes shumë rregullimeve të tjera ndaloi edhe përdorimin e valutës shtetërore serbe dinarin në Kosovë, Serbia tha se vendimi është kundër serbëve me qëllim persekutimin e tyre, ndërsa Qeveria e Kosovës argumentoi të kundërtën duke potencuar se BQK-ja po zbaton një dispozitë të Kushtetutës, si e shihni ju gjithë këtë situatë?

Dimitar Bechev: Mendoj se kryeministri po rrezikon në Veri, siç ka bërë më parë. Ekziston rreziku që Vuçiç të përshkallëzohet në përgjigje. Si rezultat, përpjekjet e BE-së për të nxitur zbatimin e marrëveshjes së Ohrit do të pengohen.

Albanian Post: Komuniteti ndërkombëtar kritikoi Qeverinë e Kosovës, jo për legjitimitetin e rregullores së BQK-së, po për faktin se vendimi u morr në mënyrë të njëanshëm, pa konsultime paraprake dhe pa një fazë tranzicioni adekuatë. Sipas jush pse komuniteti ndërkombëtar reagoi kaq zëshëm?

Dimitar Bechev: Sepse ato kriza të përsëritura e ndërlikojnë përpjekjen për të arritur një zgjidhje. Në vend që ta shtyjnë Serbinë të njohë de facto Kosovën në këmbim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, BE-ja dhe SHBA-ja janë të zënë me zgjidhjen e çështjeve të reja që krijojnë Kurti dhe Vuçiç.

Albanian Post: Ndalimi i dinarit përkeqësoi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dëshmi për këtë ishte edhe intervista e fundit e James O’Brien, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikoi Kosovën për vendimin e fundit, si do të duhej të vepronte Kosova sipas jush?

Dimitar Bechev: Do të bëja një hap mbrapa nëse do të isha në vend të Qeverisë së Kosovës, por të paktën do të kërkoja një mundësi për të shpëtuar fytyrën.

Albanian Post: Ka shumë zëra që argumentojnë se Qeveria e Kosovës me vendime të llojit sikur ajo e dinarit, po tenton të fitojë kohë dhe të prolongojë sa më shumë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas jush a mund të jetë kjo një strategji politike dhe a përfiton Kosova nga kjo?

Dimitar Bechev: Unë nuk mendoj se dikush përfiton. Nëse Trump kthehet, Kosova mund të përballet me presion për të pranuar ndarjen, pra do të jetë më keq. Të paktën tani BE-ja dhe SHBA-ja janë të bashkuar dhe mbështesin Prishtinën.

Albanian Post: Viti 2024 është vit zgjedhor në shumë shtete anë e mbanë botës përfshirë edhe në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mund të ndikojnë zgjedhjet në mbarëvajtjen e procesit të dialogut?

Dimitar Bechev: Zgjedhjet e BE-së nuk do të kenë shumë efekt. Megjithatë, ato amerikane kanë rëndësi. Gjithashtu për shkak se angazhimi i Trump në NATO është i dyshimtë.

Albanian Post: Kanë kaluar 5 muaj nga sulmi terrorist i 24 shtatorit, kur një grup terrorist hyri ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një pjesëtar të saj. Kosova fajësoi Serbinë për sulmin, duke theksuar se Beogradi zyrtar u përpoq të “aneksonte të gjithë Veriun e Kosovës”, por Beogradi tha se nuk kishte gisht në të. Si e keni parë ju gjithë këtë situatë, a mund që e njëjta situatë të përsëritet në një të ardhme të afërt?

Dimitar Bechev: Kam frikë se mund të ndodhë përsëri. Të dyja palët po luajnë lojën e konfrontimit. Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, veçanërisht nëse Vuçiç nuk arrin të kontrollojë plotësisht mafiozët lokalë serbë si Radojiçiç.

Albanian Post: Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë burim i problemeve, paqartësisë dhe diktimit jo vetëm të agjendave politike, por edhe diskursit të përditshëm shoqëror. Kur dhe si merr fund kjo çështje si problem dhe përse është kaq e vështirë të gjendet një zgjidhje për Veriun e Kosovës?

Dimitar Bechev: Sepse është kthyer në një futboll politik edhe për Beogradin edhe për Prishtinën. Nuk besoj se ndonjëra palë interesohet shumë për atë pjesë. Ata e përdorin atë për të fituar pikë kundër njëri-tjetrit.

Të ngjashme
Intervista • 21 Maj 2024