Lajme
Kurti pyetet për Asociacionin, flet për “kilometrat” e Bashkimit Evropian
Demokracia
20:30 | 05 Maj 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njihet për retorikën e tij politike.

Duke bërë lojëra fjalësh, ai pothuajse çdoherë u bishtnon pyetjeve të gazetarëve, shkruan Demokracia.com.

Sa herë që dëshiron t’i shmanget ndonjë përgjigjeje, Kurti flet për qejfin e vet.

Edhe në një intervistë për Deutche Welle, ku ka folur pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësin Miroslav Lajçak, Kurti e ka bërë të njëjtën gjë.

I pyetur nëse Qeveria e tij do ta zbatojë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka folur për “kilometrat” e BE-së.

Ai është shprehur se dialogu parimor duhet të sjellë marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila e ka në qendër njohjen reciproke.

“Jo njohjen reciproke në fund të një procesi që është stërzgjatë, siç ka qenë në dekadën e shkuar, por njohje reciproke në qendër të marrëveshjes, e cila i normalizon raportet kur Kosova është shtet normal, mirëpo raportet me Serbinë nuk i ka normale dhe ato duhet t’i normalizojmë. Unë nuk besoj që Bashkimit Evropian i nevojitet Serbia, sa i nevojitet Serbisë Bashkimi Evropian. Pra, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të marra së bashku e kanë popullsinë sa e Holandës, ndërkaq të kombinuar  bruto-produktin vendor e kanë sa Sllovakia”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor i inkuadruar në Bashkimin Evropian e zvogëlon për tremijë kilometra kufirin e jashtëm.

“Ballkani Perëndimor, i inkuadruar në Bashkimin Evropian e zvogëlon për tremijë kilometra kufirin e jashtëm që është mirë për sigurinë, por që besa edhe i bashkon familjet, meqenëse nuk ka familje, jo vetëm në Kosovë, por do të thosha edhe në Ballkan, që nuk e ka një anëtar së paku në Evropën Perëndimore”, tha ai për DW, transmeton Demokracia.com.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për rrezikun e një lufte në Ballkan.

“U dëshmua që lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, por e përgatit atë dhe në anën tjetër, gjithashtu, u dëshmua që vendet autokratike kur blejnë armatim, këtë nuk e bëjnë për parada ceremoniale ushtarake, por e bëjnë pikërisht për ta përdorur atë armatim në luftën agresore kundër fqinjëve. Andaj, jemi shumë të kujdesshëm e shumë vigjilentë, po e ndjekim se çfarë ndodh atje, afër tre për qind e brutoproduktit vendor bëhet për investime dhe shpenzime për ushtri, me ç’rast blejnë armatim ose marrin donacione nga Rusia, Bjellorusia e Kina dhe rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë tashmë janë 48 baza ushtarake, të cilat e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë. Mirëpo, me kapacitetet tona shtetërore, me faktin që ndonëse nuk jemi në NATO e kemi NATO-n në Kosovë dhe ndonëse nuk jemi në Bashkimin Evropian, edhe Bashkimin Evropian e kemi të integruar në Kosovë, ne megjithatë jemi të sigurt”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për ndikimin rus nëpërmjet Gazpromit në rajonin e Ballkanit.

“Por, në fqinjën tonë veriore, në Serbi, dihet që Gazpromi ka shumicën e aksioneve në industrinë e naftës. Në Nish është qendra humanitare ruse dhe ata kanë marrëveshje të tregtisë me Federatën Ruse dhe janë pjesë e Unionit Euroaziatik Ekonomik, që udhëhiqet nga Moska. Pra, lidhjet i kanë të shumëfishta, i kanë të thella dhe unë mendoj që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet të jenë të kujdesshëm që të mos lejojnë më që Serbia të ulet në tri-katër karrige. Në të njëjtën kohë duhet ta vlerësojnë kontributin e Kosovës, e cila nuk ka alternativë tjetër dhe nuk do të ketë kurrfarë projektesh paralele përveç BE-së dhe NATO-s”, u shpreh ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme