Lajme
Kurti po përpiqet që Mamushën ta bëjë pjesë të Zajednicës, shkon te Erdogani në Turqi
Demokracia
23:14 | 02 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportohet se nesër do të takohet me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kjo u konfirmua nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës turke.

Demokracia.com ka mësuar se Kurti po përpiqet që ta përfshijë edhe Komunën e Mamushës së pjesë e Asociacionit, që të mos duket si një-etnik dhe për këtë do të flasë edhe me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.

Gjatë takimit që do të mbahen në Stamboll do të shqyrtohen në aspekte të ndryshme marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë e Kosovës dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Aty pritet të shkëmbehen mendime edhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan.

Komuna e Mamushës është njësi administrative në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Në vitin 2008, Mamusha u shndërrua në komunë dhe është ndër komunat më të vogla në Kosovë.

Shndërrimi i saj në komunë u bë në kohën e decentralizimit. Mamusha është vendi i vetëm në Kosovë me shumicë turke 93.1 %.

Në seancën e së enjtes së Kuvendit të Kosovës, Kurti ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por me disa kushte.

“Asociacioni i komunave i dalur në parim nga marrëveshja Thaçi-Daçiq, si një mekanizëm i tillë nga Kosova mund të konsiderohet me këto kushte; Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës; Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik; Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi; Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen; Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së për Kosovën; Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohes që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian.”, tha Kurti.

Megjithatë, as vetëm me komunat serbe ky Asociacion nuk do të ishte një-etnik, pasi që pjesë e tyre janë rreth 15 për qind edhe popullsi e komuniteteve të tjera, përfshirë edhe shqiptarë. /Demokracia.com/

Të ngjashme