Lajme
Kurti nesër “e merr ose lë” propozimin që Asociacioni të krijohet sipas modelit belg të kombinuar pak me atë suedez për “vetmenaxhimin” e pakicave
Demokracia
21:59 | 25 Tetor 2023

Share:

“Merre ose leje” pritet ta kenë nesër në tavolinën e Brukselit “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciq, gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin evropian me ftesën e shefit të diplomacisë së BE’së, Joseph Borrell.

Ndonëse dyshja e krerëve të të dy vendeve nuk parashihet të kenë takim ballë për ballë me njeri tjetrin, përgjigjet për propozimet që emisari Miroslav Lajcak dhe 4 të tjerët i sollën në fundjavë në Prishtinë dhe Beograd, Kurti e Vuciqi do t’i kumtojnë tek shefat e emisarëve, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Josep Borrell.

Gazet Online Reporteri.net merr vesh, se dy ditë pas afatit që Kryeministri Kurti, sikurse Vuciqi, kanë pasur për t’i dorëzuar komentet për “propozimin modern” të BE’së, shefi i ekzekutivit kosovar nesër në Bruksel do t’i duhet “ta marrë ose do ta lejë” njërin nga 15 modelet e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që qysh nga fundjava i janë lënë në zyrën e tij.

Po ashtu, një burim i gazetës online Reporteri.net, i afërt me procesin, i ka pohuar gazetës se për Qeverinë e Kosovës, nga 15 modelet “moderne” të BE’së për Asociacionit, më i pranueshmi për palën kosovare për t’u hartuar si statut i ASK’së është ai sipas modelit “vetmenaxhues” të pakicave gjermane në Belgjikën lindore, në disa raste i kombinuar edhe me modelin e Suedisë për të drejtat e finlandezeve.

Përveç, çështjes “më të nxehtë” për Asosacionin, Kryeministri Kurti nesër në Bruksel do t’i duhet të jap një zgjidhje edhe për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe, sikurse do t’i kërkohet t’i kthehet implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Për të njëjtat çështje, pajtim me shefat e vendeve ndërmjetësuese, sikurse edhe me shefin e BE’së, duhet të arrihet edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ftesë të Joseph Borrellit, në Bruksel, të enjten do të qëndrojnë për samitin e BE’së, i cili mbledhë në kryeqytetin evropian drejtuesit e shteteve anëtare të unionit.

Takimet e ndara me lidrët e Kosovës dhe Serbisë, shefat e shteteve të Perëndimit, parashihet t’i zhvillojnë para orës 15:00, kur edhe parashihet të nisë samiti.

Të ngjashme