Lajme
“Me Përparimin jemi rritë bashkë, deri sa ai ka shku në Angli”, Përparim Rama e emëron familjarin si këshilltar për digjitalizim (DOKUMENT)
Demokracia
21:19 | 30 Prill 2024

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka emëruar edhe një këshilltar si pjesë të kabinetit. Bëhet fjalë për Luftar Brahën, të cilin e ka familjar të tij. Të paktën kështu kishte deklaruar vetë Braha, shkruan Demokracia.com.

Luftari do të nisë punën nga nesër si këshilltar pro-bono (pa pagesë) i kryetarit Përparim Rama.

Demokracia.com ka parë vendimin për emërimin e tij, i cili do të jetë këshilltar për digjitalizim.

Demokracia.com ka gjetur se Braha në një prononcim për media kishte deklaruar se e ka të familjes kryetarin Rama.

“Nënën e Përparimit (Rames) e kam vajzë të dajës, por që ajo është rritë me nënën time, sepse janë moshatare e nuk e ndajë prej tezës. Me Përparimin jemi rritë bashkë, deri sa ai ka shku në Angli. Nuk ma ka mësu punën as Përparimi e as gazetat”, kishte thënë Braha përmes telefonit për Kallxo.com në vitin 2021, deri sa mediumi po e trajtonte një temë për një ndërtim që bëhej nga një ndërmarrje publike e Prishtinës, në të cilën Braha ishte Drejtor i Bordit.

Përkundër afërsisë familjare, Braha kishte thënë se nuk ka ndikuar kandidati i LDK-së që ai të përzgjidhej anëtar i bordit.

Lidhur me emërimin e tij si këshilltar i Ramës dhe me deklaratën e mëhershme të tij, redaksia i ka dërguar një mesash nëpërmjet telefonit, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme