Lajme
Kurti në betejë të ashpër për ta zhvlerësuar Gjykatën Kushtetuese, aty ku pritet të rrëzohet statuti antikushtetues i Zajednicës që u jep serbëve autonomi dhe mbështetet në Rezolutën 1244
Demokracia
08:16 | 11 Janar 2024

Share:

Sa më shumë që kalojnë ditët, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, po afrohet më shumë drejt miratimit përfundimtar të statutit për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Me kalimin e ditëve, kryeministri Kurti dhe njerëzit e tij kryesorë në Qeveri dhe në partinë e tij, Vetëvendosje, kanë shpeshtuar sulmet mbi Gjykatën Kushtetuese, aty ku pritet të përfundojë Statuti i Zajednicës për t’u shqyrtuar nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Deri më tani përmbajtja e plotë e këtij dokumenti nuk dihet, por më 21 tetor 2023, kryeministri Kurti ka pranuar në zyrën e tij një draftstatut të cilin ia dorëzuan 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë.

Me aq sa është bërë publike nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Statuti i Zajednicës i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Diku në draft [Rezoluta 1244] përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi më 13 dhjetor 2023, duke shpërfaq në publik njërin nga skandalet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti, që veprimet dhe obligimet që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare rezolutojnë të rrezikshme për kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se ky draftstatut i referohet Rezolutës 1244, parasheh arbitrazh dhe njëfarë lloj autonomie për serbët, vetëm pak ditë më vonë, më 26 tetor 2023, kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Përveç elementeve të tjera që nuk dihen ende, referimi në Rezolutën 1244 është parë me shqetësim të madh në Kosovë.

Ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur pikërisht për figurimin e Rezolutës 1244 në Prambulën e draftstatutit. Ai e ka parë këtë si një fazë e re në procesin e zhbërjes së Mendimit Këshillëdhënës të GJND për Kosovën dhe, për rrjedhojë, të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008.

Enver Hasani: Draft-Statuti aktual i Asociacionit krijon një regjim special si ai i Hagës, e zhbën pavarësinë e 2008-ës

Një dokument me përmbajtje të tillë, të rrezikshme për vetë Pavarësinë e Kosovës, me siguri se nuk do të marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese.

Hedhja poshtë e këtij Statuti të pranuar nga kryeministri Kurti, për të cilin është vetëofruar ta nënshkruajë, pasi të kalojë edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, që sipas burimeve ndërkombëtare pritet të ndodh deri në muajin shkurt, do të rrënonte përfundimisht të gjithë angazhimin politik të Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët erdhën në pushtet me premtimin e madh për të parandaluar themelimin e Zajednicës, ndërsa tani po bëjnë të kundërtën.

“Populli më votoi të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës – Zajednicën” | Albin Kurti tradhtoi besimin e qytetarëve të Kosovës (VIDEO)

Prandaj, për të minimizuar pasojat politike, Kurti dhe Vetëvendosje, kanë filluar sulmet mbi Gjykatën Kushtetuese për ta zhvlerësuar dhe përbaltur këtë institucion para se i njëjti të pranojë për shqyrtim Statutin antikushtetues të Zajednicës, që u jep serbëve autonomi dhe që mbështetët në Rezolutën 1244. /Demokracia.com /

Për këtë temë mund të lexoni edhe:

Si e zbuloi Bislimi skandalin e madh të shefit të tij? | Zajednica i referohet Rezolutës 1244, Kurti u vetëofrua ta nënshkruajë pa asnjë kundërshtim (Fakte)

“Rezoluta 1244 i konvenon Serbisë” | Albin Kurti ringjalli dokumentin që i konvenon armikut të Kosovës

Të ngjashme