Lajme
“Rezoluta 1244 i konvenon Serbisë” | Albin Kurti ringjalli dokumentin që i konvenon armikut të Kosovës
Demokracia
09:38 | 09 Janar 2024

Share:

“Rezoluta 1244 i konvenon Serbisë”.

Kështu deklaronte para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti, asokohe si lider i subjektit të saposhfaqur politik, Lëvizjes Vetëvendosje.

Që nga ajo kohë shumçka ka ndryshuar në skenën politike të Kosovës, përfshirë edhe Albin Kurtin, por Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka mbetur e njëjta, shkruan Demokracia.com.

Ky dokument nuk është shfuqizuar ende, por Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke zhvlerësuar në realitet Rezolutën 1244, ndonëse e njëjta po ringjallet pikërisht nga Albin Kurti, përmes Statutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Albin Kurti, që sot është kryeministër i Kosovës, jo vetëm në këtë rast dhe në këtë emision ka folur me gjuhë të tillë për dokumentin e OKB-së, i cili është miratuar në qershorin e vitit 1999.

“Rezoluta 1244 i konvenon Serbisë. Ajo është brenda. 25% të territorit ta kontrollon Serbia. Kroacia, përshembull e ka arritur pavarësinë më 1991, në 92-tën është njohur ndërkombëtarisht, e deri më 1995 nuk ka mundur ta vendosë sovranitetin për shkak se edhe serbët e shpallën pavarësinë. Sot, më shumë e ndjejë prezencën e shtetit në Zveçan ose Graçanicë sesa në Prishtinë. Më shtet është aty”, deklaronte Kurti.

Edhe përkundër faktit se gjatë karrierës së tij politike, dikur edhe nga Kuvendi i Kosovës, ka folur kundër Rezolutës 1244, pikërisht në këtë dokument mbështetet Statuti për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 21 tetor 2023, kryeministrit Kurti i është dorëzuar një draftstatut për themelimin e Zajednicës nga 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën e Italinë.

Që nga ajo kohë, përmbajtja e këtij dokumenti vazhdon të mbahet fshehur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vetëm disa pjesë janë bërë publike nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka zbuluar skandalin e madh të shefit të tij në Qeveri se Statuti i Zajednicës së pranuar nga Kurti, i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

“Diku në draft [Rezoluta 1244] përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi më 13 dhjetor 2023, duke shpërfaq në publik njërin nga skandalet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti, që veprimet dhe obligimet që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare rezolutojnë të rrezikshme për kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

https://demokracia.com/si-e-zbuloi-bislimi-skandalin-e-madh-te-shefit-te-tij-zajednica-i-referohet-rezolutes-1244-kurti-u-veteofrua-ta-nenshkruaje-pa-asnje-kundershtim-fakte/

Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se ky draftstatut i referohet Rezolutës 1244, vetëm pak ditë më vonë, më 26 tetor 2023, kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023, edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës të datës 26 tetor 2023. /Demokracia.com /

Të ngjashme