Lajme
Kurti në 2011-tën në Kuvendin e Kosovës: KFOR-i në Jarinje e Bërnjak mbron Rezolutën 1244, jo Pavarësinë
Demokracia
17:11 | 07 Tetor 2021

Share:

“KFOR-i do të vendoset në Jarinje e Bërnjak para se të nis largimi i sinkronizuar (Njësia Speciale e Kosovës dhe barrikadat e vendosura nga serbët)”.

Kjo është pika e parë e Marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator 2021, pas tensionimin të situatës që rezultoi si pasojë e aplikimit të masës reciprocitetit për targa me Serbinë.

Por çfarë thoshte Albin Kurti në vitin 2011, atëbotë deputet opozitar, për prezencën e KFOR-it në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak?

“KFOR-i po e zbaton Rezolutën 1244 dhe a e dini pse KFOR-u është tash në pikat 1 dhe 31”, shtronte pyetje Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, atëbotë, opozitar dhe kauzdhënës.

Kurti ligjëronte se KFOR-i me prezencën e tyre në pikat kufitare në fjalë kishte për qëllim “të mirëmbajë kufirin me Serbi si kufi administrativ”, pra si njëfarë juridiksioni nën një entitet menaxherial.

“KFOR-i po e mbron rezolutën 1244. KFOR-i nuk e mbron pavarësinë”, thoshte Kurti.

Por tash, me marrëveshjen e arritur në Bruksel për dakordimin e vendosjes së forcave të KFOR-it në Jarinje e Bërnjak, Kurti nuk e cilëson më ashtu.

Kurti pranoi të tërheq Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës dhe zëvendësimin e tyre me trupa të KFOR-it, kur më 2011 profesonte krejtësisht të kundërtën.

“Kufiri me Serbinë bëhet kufi ndërshtetëror, jo me KFOR-in atje, por me Policinë e Kosovës, me Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe me Doganat e Republikës së Kosovës”, deklaronte Kurti me 2011.

Shtrirja e kontradiktave të pozicioneve deklarative të Kurtit të atëbotshëm dhe Kurtit të sotëm është e madhe.

KFOR-i që sipas Kurtit kishte për qëllim të mbronte kufijt administrativë, siç i quante ai, tashmë po i kthehet në realitet faktik të tij. /Albanianpost.com

Të ngjashme